Të gjithë atyre që shesin maqedonizëm, e që kanë mendësi politike ‘serbe’!

Shkruan: Kim Mehmeti

Lidhur me interviston time dhënë agjencisë bullgare BGNES janë publikuar mbi tridhjetë reagime mediatike, si dhe qindra sharje e ofendime nëpër rrjetet sociale. Edhe ata që më kritikojnë, njësoj si edhe ata që më japin mend e ma rikujtojnë se çka u ka ‘dhënë’ Maqedonia shqiptarëve të këtushëm, pra edhe ata që më thonë se do më arrijë dënimi i duhur, njësoj si edhe ata që ma rikujtojnë se kjo Maqedoni më ka lejuar të jem ky që jam, vetëm e dëshmojnë atë që them në atë intervistë, si dhe ma sforcojnë bindjen se një pjesë e elitave maqedonase ishin dhe mbetën robër të mendësisë politike ‘serbo – titiste’, mendësi që i bënë të besojnë se intelektualizmin i tyre, si dhe fati i popullit maqedonas, varet nga sasia e antishqiptarisë dhe antibullgarizmit që ata ndjenë në vetvete.

Domethënë lidhur me atë intervistë u thanë të gjitha, që marrë ashtu grumbull, vetëm e mbështesin pohimin tim se populli maqedonas paguan, dhe do paguaj, çmim të lartë, shkaku i mendësisë politike ‘serbe’ të disa ‘intelektualëve’ të vet, të cilët besojnë se në Maqedoni edhe toka edhe ajri edhe qielli, kanë përkatësi etnike e religjioze, dhe se ajo përkatësi e tyre është sllavo-ortodokse!

Dhe shumë nga ato reagime, komente, sharje…, më bëjnë të ndjej keqardhje ndaj viktimave të shkollës politike të Beogradit, ndaj atyre që ndërtojnë shtet mbi antishqiptarinë dhe entibullgarizmin, ndaj atyre që besojnë se maqedonasit janë ata që japin, e shqiptarët ata që marrin dhe se, shqiptarët e bullgarët janë armiqtë e natyrshëm të Maqedonisë!?

Pra gjithë ato reagime, qëllimmirë e qëllimkëqij, mundohen ta fshehin të vërtetën se gjatë dekadave socialiste, si dhe pas tyre, ky shtet shqiptarëve ua ka marrë mundësin të kenë atë që është e tyrja dhe në mos më shumë, ua ka për borxh një kërkim faljeje për vitet e dekadat kur shqiptari mund të ishte vetëm i burgosur politik, vetëm kanal rrëmirës dhe druvar, kur fëmijët shqiptarët mësonin në paralele të përziera…, kur…, kur maqedonasit jetonin e shqiptarët mbijetonim!

Andaj zonja e zotërinj, mos harxhoni kohë me intervistën time, por mundohuni të çliroheni nga robëria e mendësisë ‘serbo komuniste’, mendësi që qëndron mbi shtyllat e antishqiptarisë dhe atnibullgarizmit, ngaqë posa të çliroheni nga kjo robëri, do jetoni më lirshëm, do e shihni se nuk është barazi kur ju ‘jepni’ e ne marrim, por kur çdo çdonjëri ka atë që i takon. Siç do e shihni se juve nuk ju rrezikojnë as shqiptarët as bullgarët, por ju rrezikon verbëria që nuk u lejon të shihni të vërtetat për vetveten e për të tjerët!

Në ndërkohë nuk arrijë ta kuptojë një gjë: pse disa intelektual maqedonas aq shumë shqetësohen nga qëndrimet e mia publike, kur e kanë mbështetjen e shumë burrështetasve të BDI-së, të cilët thonë shumëçka, që të mos merret vesh asgjë dhe që, po ashtu, janë robër të mendësisë politike ‘serbe’, andaj edhe nuk e shohin se “Mini shengeni ballkanik” është projekt serb, projekt që ka për qëllim Maqedoninë ta kthej aty ku ishte – në “Serbosllavi”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme