Flet Presidenti i Republikës Ilir Meta: Komisioni i Venecias e ka sqaruar qartë se ka qënë mazhoranca ajo që bllokoi KED dhe Gjykatën Kushtetuese për 3 vite. Pas dekretimit të anëtarit të gjashtë që bën funksionale Gjykatën Kushtetuese, Presidenti Meta deklaron se me afrimin e zgjedhjeve po rriten sipërfaqet e kanabisit, dhuna policore dhe aktiviteti i grupeve kriminale, të cilat po cënojnë Sigurinë Kombëtare
- Presidenti Meta: Me afrimin e zgjedhjeve, po rriten sipërfaqet me kanabis dhe aktivitetet e grupeve kriminale. Siguria kombëtare po cënohet seriozisht
- Komisioni i Venecias e ka sqaruar qartë: Ka qenë mazhoranca, që bllokoi KED dhe Gjykatën Kushtetuese për 3 vite
- Presidenti Meta: Boll me tendera sekretë e koncensione të reja në kulm pandemie. Shpëtoni jetë dhe rimbursoni kostot e kurimit.
-Është kohë e vështirë, kohë pandemie, kohë krize. Dua një mesazh nga numri një i shtetit shqiptar…
– Jemi në një situatë tepër të rëndë shëndetësore, ekonomike, sociale, por dhe shpirtërore, që është shqetësuese dhe kërcënuese për shumë qytetarë dhe familje shqiptare. Megjithatë është edhe një moment kërkese për të qëndruar në lartësinë e këtyre sfidave, për t’i përballuar ato me kurajë, me bashkëpunim, me guxim, me transparencë dhe mbi të gjitha, me vendosmëri për të përmirësuar të gjithë parametrat e rënduar apo të përkeqësuar me të cilat ndeshet shoqëria jonë, veçanërisht në drejtim të shëndetit publik, të varfërisë, të punësimit apo të rritjes së papunësisë.
– Për milionat që shpenzohen, për pandeminë, për PPP-të, siç i shpiku kjo lloj qeverie, kemi një përpjekje të medias për t’u futur, dhe ju i keni përshëndetur të gjithë reporterët që gërmojnë.
– Ajo që është përgjegjësia e qeverisë është pikërisht trajtimi me përgjegjësi maksimale i situatës, vendosja e prioriteteve, që i shërbejnë përballimit të saj më të mirë, rishikimi i buxhetit dhe i prioriteteve, sepse prioriteti kryesor sot është shëndeti dhe jeta e qytetarëve, është asistenca, është ndihma e të sëmurëve dhe një pjesë e tyre për shkak të varfërisë e të papunësisë nuk kanë mundësi të përballojnë as kostot e kurimit. Natyrisht, që në këtë periudhë nuk është koha as për të bërë tendera sekretë. Nuk është koha as për të abuzuar me këtë emergjencë shëndetësore dhe aq më tepër për të dhënë koncensione të reja, siç po shohim për fat të keq, në flagrancë të plotë me interesin publik dhe me interesin qytetar.
– Kemi ambasadoren amerikane dhe atë të Bashkimit Europian, të cilët këmbëngulin që Gjykata Kushtetuese të ngrihet brenda dhjetorit. Si është e vërteta?
– Kush përfitoi më shumë se tre vjet nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese? A e patë Ju, çfarë ndodhi në Kosovë? Gjykata Kushtetuese u shpreh, qeveria është e paligjshme. Një Gjykatë Kushtetuese e këtyre standardeve, pa dyshim që, duhet të kishte thënë me kohë, që ky është një Parlament jo kushtetues, këta deputetë që kanë hyrë janë jo kushtetues. Edhe, që shumica e PPP-ve me miliarda euro gjatë këtyre dy viteve, që kanë kaluar pa Gjykatë Kushtetuese, janë gjithashtu anti-kushtetuese edhe në kundërshtim me interesin publik. Mendoj që edhe Komisioni i Venecias, e ka sqaruar shumë qartë në të kaluar këtë debat, që përgjegjësia ka qenë e njerëzve të mazhorancës në krye të KED-së, edhe në krye të vetë Parlamentit. Bllokimi sistematik që mazhoranca i ka bërë KED-ve, vit pas viti.
– Sipas ‘Zërit të Amerikës’, janë 1970 parcela dhe mbi 25 % më shumë sesa vitet e kaluara me bimë narkotike, edhe pse kishim një ministër Gjeneral.
– Fakti që jemi në një vit elektoral, është për të mos kërkuar edhe shumë angazhim në këtë drejtim. Dihet se sa herë ka pasur periudha elektorale janë rritur sipërfaqet e kultivuara me lëndë narkotike. Por, janë rritur dhe aktivitet e tjera të grupeve kriminale për fat të keq. Ky konstatim, që erdhi edhe nga Organizata së Kombeve të Bashkuara, që cilëson Shqipërinë si burim kryesor në Europë, për kanabisin edhe për trafiqet, janë të përsëritura tashmë, janë solide dhe kuptohet është mungesa totale e vullnetit politik, për t’i luftuar këto fenomene. Dhe, akoma më keq është loja politike, për t’i përdorur aktivitete të tilla kriminale në interes të deformimit të proceseve zgjedhore, apo të favoreve, për të tërhequr këto grupe në përpjekjen për të mbajtur me pahir pushtetin.
– A është cënuar siguria?
– Pa asnjë dyshim që siguria kombëtare është cënuar seriozisht. Sa më shumë të rriten fenomenet kriminale, sa më shumë të rritet fenomeni i pastrimit të parave, aq edhe më shumë probleme do ketë edhe me sigurinë kombëtare.
Qeveria e përbuz shtetin e së drejtës dhe i urren zgjedhjet e lira
– Po ka një kryeministër autokrat, që do ta përdorë për interesat e tij, ose për kredo e tij politike. Siç çështja e detit, po dhe shumë çështje të tjera që lidhen me Institucionin e Presidentit. Duke hartuar edhe ligje në Parlament, duke dalë edhe jashtë Kushtetutës.
– Ne, e kemi të qartë që kjo është një qeveri që ka dalë prej kohësh jashtë shinave kushtetuese. Është një qeveri që përbuz shtetin e së drejtës, parimin e kontrollit dhe të balancës midis pushteteve. Është një qeveri që urren zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe bën çdo gjë, që të provokojë opozitën, ta intimidojë atë, votuesit dhe qytetarët.
– I nderuar President, edhe pse firma juaj ka qenë kundër, po të shohësh, Parlamentit, as nuk i hyn fare në sy, të lexuarit si arsyetim!
– Kapja e drejtësisë, kapja e Prokurorisë në mënyrë antikushtetuese që, me zgjedhjen e Prokurores së Përkohshme dhe me paralizimin e gjithë institucioneve të drejtësisë, sigurisht që ka fryrë më tej arrogancën, që nuk është se ka munguar edhe më parë të këtij kryeministri dhe të kësaj qeverie. E cila natyrisht që do e marrë një përgjigje.
– Keni shkuar në çdo cep të Shqipërisë, keni mbjellë një lloj shprese dhe a keni vërejtur që Shqipëria është e jetueshme kudo?
– Pa asnjë diskutim, ky është një angazhim i pakthyeshëm dhe është një betejë që do të fitohet. Këtë radhë është beteja për t’i dhënë fund njëherë e mirë shpopullimit të Shqipërisë, sepse praktikisht në rastin e Shqipërisë nuk kemi migrim, siç mund të kemi në rastin e Serbisë, të Bosnjës apo të Malit të Zi, por kemi shpopullim. Sepse për 1000 mijë banorë, nga Serbia ikën 1, ndërsa nga Shqipëria ikin 12 shqiptarë.
Sjellja brutale e Policisë ndaj minorenëve dhe të pafajshmëve, tregues i qartë i regjimit policor
-Tek lëvizja studentore, Edi Rama vinte dhe i lutej studentëve. Ndërsa tani, s’ka lënë misionar pa dërguar tek familja e të ndjerit Klodian Rasha. Si bashkëjetojnë brenda këtij njeriu këto të dyja?
– Kjo sjellje brutale është e përsëritur. Rastet e dhunës ndaj minorenëve e të pafajshmëve, apo tejkalimi i ligjit nga efektivë të caktuar të Policisë, si dhe mbështetja verbalisht e tyre nga drejtues të qeverisë apo të policisë, ndërkohë që kërkohej distancim, tregojnë qartë natyrën e një regjimi policor, që nuk ka respekt për të drejtat e njeriut dhe që nuk bazohet në shtetin e së drejtës. Mbi të gjitha ka një humbje besimi të qytetarëve tek institucionet shtetërore dhe ato ligjzbatuese, gjë që është tepër negative.
-Kemi 25 Prillin përpara, Edi Rama, pothuajse e ka bërë fakt të kryer që unë, e kam mandatin e 3-të në xhep. Pothuajse të gjitha institucionet i ka uzurpuar. A ka një ilaç shërimi?
– Pa asnjë diskutim, për kryeministrin tonë, ai, nuk ka të tretin po dhe të trembëdhjetin në xhep. Absolutisht, unë, besoj që ilaçi i shërimit është pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve, për të treguar që i meritojnë të drejtat e tyre, që i kanë në Kushtetutë, dhe ata luftojnë për të drejtat e tyre.
– Edhe dy fjalë… se na është ndarë nga jeta Presidenti i Televizionit, z.Kasem Hysenbelliu.
– Ishte një lajm i pabesueshëm ndarja nga jeta e zotit Kasem Hysenbelliu. Një emër shumë i spikatur dhe me meritë i menaxhimit të mediave ndër më kryesoret në vend, gjatë këtyre dy dekadave, një mik edhe i imi i veçantë dhe për shkak të lidhjeve krahinore apo familjare, po mbi të gjitha një njeri, që e kam vlerësuar gjithmonë për karakterin dhe personalitetin e tij mjaft solid dhe mjaft shqiptar, në kuptimin më të mirë të fjalës.
– Po ta shikosh në politikën shqiptare ka qenë Valentina Leskaj, ka qenë Arta Dade, ka qenë Ermelinda Meksi, ka qenë Namik Dokle, ka qenë Servet Pëllumbi. Por dhe nga pala tjetër, zoti Sali Berisha. Keni një opinion për këtë plejadë njerëzish, sepse kur shikon sot nëpër televizione, sinqerisht, ndjehemi të zvogëluar shpirtërisht dhe të pashpresë për të ardhmen?
– Mendoj se rruga, për të realizuar një kapërcim cilësor dhe të besueshëm të gjithë kësaj krize përfaqësimi, legjitimiteti të klasës politike dhe lidershipin në tërësi, është ajo e kalimit tek epoka e re. Ajo e Referendumit, e cila u bllokua për më shumë se 22 vite, që nga Nëntori i vitit 1998, kur populli votoi me referendum Kushtetutën dhe përcaktoi të drejtën e tij për t’u shprehur për çështje të rëndësishme me referendum, e deri tani, gjë që është praktikisht e bllokuar. Unë besoj shumë që kjo do të jetë vendimtare në të ardhmen, pra zbatimi i këtij parashikimi kushtetues në realitet.
Dhënë gazetarit, Bejdo Malo, në ‘Fax News’