Kur kanë kaluar më shumë se katër muaj qëkur Kuvendi i Kosovës u sulmua me raketahedhës dhe nën dyshimin për këtë sulm u arrestuan gjashtë aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, njëri nga të cilët në rrethana ende të pasqaruara plotësisht vdiq në qendrën e paraburgimit, disa nga provat për këtë sulm ende mbeten të turbullta.
Për shkak të mungesës së pajisjeve adekuate nga institucionet e sigurisë në Kosovë, disa prej video-incizimeve nga kamerat afër vendit të ngjarjes ende nuk janë qartësuar, ndërsa për këtë arsye janë dërguar jashtë vendit.
Ky fakt përmendet në kërkesën e prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit ndaj dy aktivistëve të VV-së Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti.
Kërkesa për vazhdimin e paraburgimit, ndonëse ishte miratuar nga gjyqtari i procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva, pas ankesës së mbrojtësve u ndryshua nga Gjykata e Apelit, e cila u zbuti masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Gjykata e Apelit, ndonëse vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprën penale, i liroi ata nga paraburgimi me arsyetimin se provat e dërguara jashtë vendit janë duke u pritur nga institucionet shtetërore dhe prandaj nuk mund të ndryshohen apo asgjësohen.
KALLXO.com përmes telefonit provoi të kontaktojë prokurorin e rastit Abdurrahim Islami për ta pyetur se kur pritet që t’i ketë në dispozicion video-materialet e qartësuara, por prokurori Islami nuk ishte i qasshëm.
Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi ishin arrestuar më 30 gusht të këtij viti për sulmin në Kuvendin e Kosovës.
Në ditën kur ndodhën këto arrestime, policia publikoi fotografi që sipas saj tregonin lëvizjet dhe armët e të arrestuarve në ditën e sulmit ndaj Kuvendit.
Më 1 dhjetor të këtij viti, Lëvizja “Vetëvendosje” në një konferencë për medie me pamje dhe shpjegime të shkruara tregoi se ku sipas saj ndodheshin aktivistët e arrestuar në ditën kur ndodhi sulmi.
Tre prej të arrestuarve-Astit Deharit, Atdhe Arifit dhe Egzon Halitit në seancën fillestare u ishte caktuar masa e paraburgimit, ndërsa të dyshuarve tjerë arresti shtëpiak.
Gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim, më 5 nëntor të këtij viti, Astrit Dehari u gjet i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Vdekja e tij ngjalli reagime të shumta në Kosovë lidhur me shkakun e vdekjes nga opinioni publik dhe subjekti politik të cilit i takonte Dehari.
Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Deharit, i bërë publik më 18 nëntor, përcaktoi se ai ka bërë vetëvrasje. /KALLXO.com