Një tërmet i fuqishëm e ka goditur Kroacinë. Ai është ndjerë pas orës 12 në Zagreb, Banja Lluka dhe Sarajevë, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë. Qendra Sizmiologjike Euromediterane (EMSC) ka raportuar se fuqia e tij ishte 6.3 shkallë të Rihterit.
Sipas EMSC, epiqendra ishte 46 kilometra në juglindje të Zagrebit, diku rreth Petrinja.
Tërmeti u ndje edhe në Serbi.
Në Petrinjë ka humbur jetën një fëmijë, kurse nënës së tij për momentin po i ofrohet ndihmë mjekësore, raportojnë mediumet kroate.
Kryetari i komunës, Darinko Dumboviq ka deklaruar për televizionin N1 se është rrafshuar gjysma e qytetit dhe ka kërkuar të dërgohet ndihmë urgjente.
“Po nxjerrim njerëzit nga veturat. Është rrënuar edhe kopshti i fëmijëve, por për fat në atë moment nuk ka pasur aty fëmijë”, ka deklaruar Dumboviq.