Nga Enton Palushi
Këto ditë të fundvitit, Netflix ka publikuar një film-dokumentar dedikuar vitit 2020, si një prej viteve më të këqij në histori. Dokumentari satirik ‘Vdekje 2020-ës’ është një ironi për të pushtetshmit që e shtuan më shumë barrën e vështirësive mbi qytetarët.
Por ndërsa nuk ka koment për të bërë për keqqeverisjen e këtij viti dhe keqmenaxhimin e pandemisë, edhe në ditë të vështira ka lajme të mira. Gjatë këtyre viteve u shfaqën qartë së paku tetë arsye se përse opozita është alternativa më e mirë.
E para, gjatë këtij viti u rrëzua plotësisht miti që ka ngritur qeveria se opozita nuk ka plan apo program. Opozita e Lulzim Bashës tregoi se ka një plan, një program dhe një vizion, qoftë për pandeminë në veçanti, qoftë edhe për qeverisjen në përgjithësi. Kaq e dukshme ishte kjo sa titujt ‘Rama kopjon Bashën’ ishin të zakonshëm. Në fakt më shumë ishin imitime gjysmake dhe të vonuara nga qeveria. Por për të kuptuar të gjithë këtë situatë mjafton batuta epike e kolegut Andi Bejtja se ‘Edi Rama duket si drejtor policie i kabinetit të Bashës’. E gjitha kjo shpjegon thelbin e asaj që ndodhi sivjet kur kryeministri Edi Rama u duk se menaxhoi vetëm anën militare të pandemisë.
E treta, opozita tregoi se është racionale. Në asnjë moment ajo nuk tentoi që ta krahasonte Shqipërinë me Italinë, Greqinë apo Gjermaninë. Në çdo dalje, kryetari Lulzim Basha deklaroi se kërkon për Shqipërinë atë që po e bëjnë Kosova, Maqedonia apo Serbia. Edhe denoncimet e saj, që nga skandali i maskave në fillim e deri te numri i vdekjeve në fund, ishin të sakta, të mirëmenduara dhe aspak joracionale.
E katërta, opozita tregoi se është alternativa më e mirë për integrimin e vendit. Ajo tregoi se është forca që mbështet nisjen e negociatave duke u investuar për të çliruar procesin jetik për vendin. Ky vit provoi përfundimisht se prej dy mandatesh është kjo qeveri që e mban peng integrimin europian, si projekti më i madh në vend. Mos harroni se nuk ka qenë një sfidë e lehtë për opozitën të tregojë se është forca më pro-europiane në vend, pasi ka pasur kundër jo vetëm progapandën qeveritare, por edhe elementë diplomatikë e ndërkombëtarë.
E pesta, opozita tregoi se nuk është e kapur. Ajo në asnjë moment nuk ka treguar se është në dorën e njerëzve që kontrollojnë pasurinë e shqiptarëve. Mos u gënjeni nga propaganda e qeverisë se edhe opozita është e lidhur me oligarkët. Lidhjet me oligarkinë kanë kuptim vetëm në një sens: për të ndihmuar përhapjen e mesazhit opozitar. Por si asnjëherë në historinë e post-komunizmit një qeveri nuk ka pasur kontroll kaq të madh mediatik. Aq shumë e kontrollon median tradicionale kjo qeveri, sa sikur të mos mjaftonte kjo, ka mbledhur çdo llum, çdo psikopat dhe skizofren që të dalë nëpër ekrane për ta mbrojtur. Pengesa më e madhe ndaj saj ishin disa oaze online, të cilët u mundua t’i shtypë në mënyrë brutale.
E gjashta, opozita tregoi se nuk është e lidhur me krimin. Edhe pse kanë prej tetë vitesh pushtetin, kjo qeveri nuk provoi për asnjë moment ndonjë lidhje të opozitës me botën e nëndheshme. Madje edhe vendosja nën kontroll e reformës në drejtësi kishte për qëllim goditjen e opozitës. Dhe sërish nuk gjetën asgjë. A ka më turp për një qeveri që kontrollon gjithçka prej tetë vitesh, të përfundojë duke shpifur ndaj opozitës dhe duke deklaruar se opozita qenka e korruptuar dhe e kriminalizuar?
E shtata, gjatë kësaj kohe u rrëzua plotësisht teza e përhapur fort nga pushteti se palët janë të gjithë njësoj dhe se Lulzim Basha dhe Edi Rama janë dhe do jenë bashkë. Si kurrë më parë, pushteti nuk e përqendroi energjinë e tij për të përçarë opozitën. Madje strategjia e tyre për të përçarë opozitën, duke miratuar ndryshimet kushtetuese të njëanshme, bllokoi përfundimisht projektin më të madh të shqiptarëve, integrimin e vendit. Kulmi i kësaj strategjie mbërriti me krijimin e partiçkave të reja nga e djathta, që gjithë shpresat e tyre i kanë varur te pushteti dhe mediat e tij.
E teta, të gjitha këto që thamë më sipër provuan edhe njëherë se nuk qëndron aspak teza se opozita është e dobët dhe thjesht po pret që të largohet kundërshtari për t’i zënë vendin. Kjo jo vetëm sepse kjo opozitë ka ndërmarrë veprimet më radikale kundër qeverisjes siç ishte bojkoti, protestat dhe dorëzimi i mandateve, por edhe sepse dalja e partive nga e djathta u bë vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve. Strategjitë antiopozitare në të shkuarën kanë synuar gjithmonë diçka të tillë, por asnjëherë kaq pranë zgjedhjeve. Të jesh alternativa më e mirë, siç është tani PD e Bashës, pas gjithë këtyre furtunave, është një lajm i mirë.
***
Kohërat e vështira me kriza si kjo që po jetojmë kanë një tendencë për të prodhuar sharlatanë, psikopatë, delirantë, rrufjanë, populistë dhe mesianikë. Madje edhe njerëzit mund të tërhiqen prej tyre.
Por siç thotë filozofi im i preferuar, Peter Sloterdijk, është një lajm shumë i mirë që në kohëra kaq të turbullta, alternativa më e mirë të jetë ajo e mendjeve të ftohta dhe të kthjellëta.
Kjo për një arsye akoma më të mirë: Opozita të tilla e bëjnë punën shumë më mirë kur vijnë në pushtet.
Gëzuar!