Partia Alternativa ka lëshuar një deklaratë ku përmend faktin se këto ditë ndërmarrja “Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti” i ka përzënë 21 shqiptarë nga puna.
Nga 31 punëtorët e angazhuar me kontratë pune, drejtori i kësaj ndërmarrje, një shqipfolës nga Dvizhenja Besa, siç e thekson partia, i përjashton 21 shqiptarët dhe i mban në punë 10 maqedonasit.
Partia Alternativa
“Vetëm ky informacion është i mjaftueshëm për ta kuptuar se kujt i shërben ky njeri dhe për çfarë agjende është angazhuar ai. Ne, si parti politike, e njohim mirë potencialin antishqiptar dhe hakmarrës të këtij drejtori të kapur dhe të asaj partie tashmë të shkrirë në LSDM, por duam ta pyesim qeverinë se si ka mundësi të lejojë që në këtë kohë pandemie e krize ekonomike, si dhe në kulm të dimrit, t’i përjashtojë njerëzit nga puna vetëm për arsye se janë shqiptarë”
AlternAtivA njofton se në kohën kur kjo parti e ka drejtuar atë drejtori, numri i shqiptarëve aty nga 1% (ose 11 shqiptarë), siç e gjetëm më 2018, është rritur në 9% (ose 82 shqiptarë) në vitin 2020.
Partia Alternativa
“Megjithatë, ja që ende ka argatë e të a.q. parti shqipfolëse, që vijnë në pushtet për t’iu hakmarrë shqiptarëve dhe për t’u bërë favore maqedonasve. Kjo ka qenë kështu qysh nga koha e Jugosllavisë me Rakoviqin e deri te Gruevski, ndërsa – për fat të keq – po vazhdon edhe sot, kësaj radhe bile me protagonistë shqipfolës”
AlternAtivA u bën thirrje të gjithë atyre shqiptarëve që janë përjashtuar që të durojnë, sepse në çastin e parë që do të kthehen në pushtet – ndërsa rrethanat thonë se kjo do të ndodhë shumë shpejt – ata do të kthehen në punë dhe asnjë shqiptar, por edhe askush tjetër, nuk do të përjashtohet më nga puna pse i takon një bashkësie etnike ose një partie politike. /SHENJA/