Kryeministri, Edi Rama, ka shpërthyer me një fjalor rruge kundër të gjithëve atyre që kanë komentuar raportin e fundit të OECD, sipas të cilit ku Shqipëria renditet e 4-ta në botë për emigracionin e personave me aftësi të larta në punë dhe e 8-ta në botë, për normën e largimit të intelektualëve.
Nëpërmjet 2 postimeve në Twitter ai siç bënë zakonisht, fajin e kalon te Berisha, Basha, Kryemadhi dhe Ilir Meta dhe madje akuzon se shifrat e organizatës prestigjioze janë të 5 viteve më parë, sikur në atë kohë të mos ishte ai në pushtet.
Më i ashpër në këto reagime ai ka qenë ndaj presidentit Meta, për të cilin ka bërë thirrje që të nxirret nga politika duke “e shqelmuar”.
Më herët presidenti Ilir Meta kishte reaguar mbi raportin në fjalë, duke e konsideruar atë një rekord të zi për Shqipërinë.
“Largimi i ‘ajkës’ së shoqërisë, është një tjetër tregues i dhimbshëm se nga Shqipëria po largohen edhe qytetarët, që kanë një standard të mirë jetese, marrin një pagesë të kënaqshme dhe kanë një pronë, por për të cilët niveli i shërbimeve publike është i papranueshëm, ndjehen pa zë, të papërfaqësuar, të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen në vend dhe të pashpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre”, deklaroi presidenti Ilir Meta.
Sipas raportit, vala e re e emigracionit po përfshin jo vetëm familjet por edhe shtresën e aftë të popullsisë. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në një raport të vitit 2020 konstatoi se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000/2001 deri në 2015/2016.
Për periudhën në fjalë, rritja e normës së emigrimit së personave me aftësi të larta është 14.6 pikë përqindje (pp), pas Liberisë (27.9) dhe Butanin (15.4) dhe në të njëjtin nivel me Moldavinë. Pas Shqipërisë renditet Rumania, me rritje 11.8pp.
Shqipëria prej dekadash është prekur nga emigracioni masiv i popullsisë, kurba e te cilit nuk po njeh zbutje, por ikja e të arsimuarve është në nivele alarmante. Emigracioni është një fenomen që prek vendet më të ardhura të ulta dhe të gjitha shtresat e popullsisë, por te arsimuarit kanë prirje për të emigruar më shumë.
Sipas raportit, në Europë, vendet e Ballkanit janë ndër burimet më të mëdha të migrantëve. Për shembull, Shqipëria ka një normë totale emigrimi prej 29%, Bosnja dhe Hercegovina prej 20% dhe Maqedonia Veriore prej 18%.
© SYRI.net