Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka zbuluar se është çështje ditësh marrëveshja e përbashkët me PD, për një vend të sigurt në lista, në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Gjatë një interviste për Report tv, ai tha se ka dëshirë të kandidojë në Tiranë dhe Vlorë sepse beson se këto qarqe kanë peshën më të madhe.
Ky është një lajm i mirë që disa nga krerët e partive opozitare kanë arritur marrëveshje me PD ndërkohë që dhe PDIU është në fazë të përcaktimit dhe përmbylljes së kësaj marrëveshje. PDIU është bërë pjesë e opozitës së bashkuar në 2018. Ne jemi në fazë negociatash për të bërë një listë të përbashkët të frontit opozitar drejt qëllimit të përbashkët, fitoren në 25 prill. Është një marrëveshje dhe diskutim në kompleks. Nuk kemi hyrë me emra dhe zona të caktuara. Nëse do kërkoja një preferencë personale, do ishte shumë mirë qarku i Vlorës dhe Tiranës por kjo do shihet në dinamikën e përbashkët. PDIU shton valencën për të prodhuar mandate shtesë. Ne kemi një marrëveshje me PD, por do të kemi parasysh edhe sensitivitetet, peshën, ruajtjen e kauzave”.
Këtu nuk bëhet fjalë për të sistemuar dikë dikund. Bëhet fjalë për të bërë një listë elektorale, sepse jemi përballë një qeverie që në 8 vite ka prodhuar një gjendje krize institucionale. Rama në mënyrë të njëanshme prodhoi një ngërç, ndryshimi i kodit zgjedhor, brenda në kohën që ishim futur në një situatë parazgjedhore. Ne besojmë që duhet të ketë një sinergji dhe mirëbesim për të rritur që lista e përbashkët e koalicionit mos të jetë një listë se ku duhet të strehojmë kë. Këtu bëhet fjalë që të gjithë bashkë të kontribuojmë me vota për të arritur ndryshimin” – tha Idrizi.
Ndërkohë përsa i përket çështjes Çame dhe premtimin për heqjen e ligjit të luftës nga Lulzim Basha, Idrizi deklaroi se kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes që PDIU po negocion aktualisht me PD-në.
“Heqja e ligjit të luftës, siç është çështja e shqiptarëve të Çamërisë apo dhe çështje të tjera në raport me Greqinë, nuk është as e Bashës e as e Ramës. Nuk duhet të jetë një çështje vullneti por ato vijat e kuqe që çdo njeri në opozitë e në mazhorancë duhet t’i kenë për të diskutuar me Shqipërinë. Besoj që në marrëveshjen që kemi bërë me Bashën në shtator të 2018-ës, çështja e shqiptarëve të Çamërisë është pjesë e marrëveshjes me të dhe do ritheksohet dhe në këtë marrëveshje që po mundohemi të arrijmë” – tha Idrizi.
Ndërsa për futjen e partive të reja politike për zgjedhjet e 25 prillit, Idrizi tha se Shqipëria ka nevojë për këto parti.
“Ne mendojmë që spektri politik shqiptar ka nevojë për parti të reja. Sigurisht që ndryshimet në Kodin Zgjedhor e ngushtojnë hapësirën e partive të reja. Partitë e mëdha nuk ndahen shumë nga pikëpamja ideologjike” – tha Idrizi.
Idrizi më tej shtoi se opozita është e vonuar në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në deputetë dhe se marrëveshjet duheshin bërë më parë.