Shkrimtari Kim Mehmeti paralajmëron aktpadi kundër gazetës Tema për shpifje. Sipas tij. kjo gazetë, çka nuk ka thënë e shkruar për të, por kësaj radhe i ka tejkaluar gjithë kufijtë, duke shpifur se ai i ka ofenduar të gjithë votuesit e Edi Ramës.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë që Kim Mehmeti ka publikuar në FB e vet..
“Një portal (gazetë) nga Tirana që merret me ‘Tema’ të mëdha në mbrojtje të shqiptarisë, çka nuk ka shkruar për mua: se jam terrorist islamik, se jam ideologu i ISI-sit, se…., se….
Por kurrë nuk jam marrë me të sepse kryesisht kanë qenë ofendime personale, sepse e kam ditur se të merresh me këtë gazetë është njësoj si të hapësh kapakun e gropës septike, ku zbrazen ujërat e zeza të ‘gazetarisë’ që është vënë në mbroje të ‘Rilindjes’.
Pastaj e kam ditur se nuk mund të depërtojë asgjë njerëzore te ‘Imerat”, truri i të cilëve mund të trillojë edhe monstruozitete të përmasave se gjyshi është baba i nipit?!
Por kësaj radhe, ky portal ka bërë mëkatin që nuk falet: më përdor mua për të lënduar e ofenduar një pjesë të popullit tim, duke më vënë në gojë thënie që mbase donë t’i thonë vetë drejtuesit e kësaj gazete.
Andaj e kam autorizuar avokatin tim në Tiranë që të ngre aktpadi kundër kësaj gazete, për shpifje.” – shkruan Kim Mehmeti.