Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka prezantuar sot Programin Politik të LSI për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit. Boshti i këtij programi, sipas Kryemadhit, është punësimi, ekonomia dhe arsimimi i rinisë.
“Një punësim të mirëpaguar, rimëkëmbja e ekonominë dhe arsimimi i brezit të ri, ku rinia jonë duhet të jetë konkurruese jo vetëm në tregun e punës por edhe në fushën e teknologjisë dhe inovacionit me vendet fqinje, rajonin e botën”.
“Doja ta filloja fjalën time me një faleminderim për të gjithë grupin e programit, – u tha Kryemadhi, drejtuesve të LSI-së në takimin që u transmetua direkt në rrjetet sociale, – të cilët për më shumë se 9 muaj kanë punuar nën drejtimin e z. Haxhinasto dhe kanë hartuar një program cilësor, real dhe me efekt të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë në ekonominë e shqiptarëve.
Pra, shqiptarët përballen sot me një qeverisje jo vetëm që ka dëmtuar shtetin dhe ekonominë e tyre deri në palcë. Arroganca dhe paligjshmëria kanë dëmtuar rëndë institucionet vendimmarrëse dhe të pavarura, edhe duke injoruar dhe shkelur Kushtetutën dhe shkatërruar institucionet e pavarura, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e shtetit.
Kjo sjellje e Rilindjes ka dëmtuar rëndë besimin dhe shpresën e shqiptarëve dhe kështu dëmtoi edhe besimin tek demokracia e cila ishte frymëzuesja e rinisë shqiptare në vitet 90’ për përmbysjen e diktaturës dhe për të krijuar një sistem të ri.
Në këto 4 vite shqiptarët jetojnë më keq se ç’kanë jetuar 4 vite më parë pjesa dërmuese e rinisë shqiptare po humbet shpresën nëse nuk e ka humbur tashmë. Prandaj sot me shumë se kurrë lind nevoja e ndryshimit, i cili vjen me votë por edhe me ndërgjegjësim dhe duke sjellë besim tek njerëzit.
Njerëzit kanë nevojë për besimin që ngjall shpresën dhe kjo shpresë e dërmuar nga keqqeverisja mund të kthehet vetëm duke folur me njerëzit me një program dhe plan të qartë dhe real që ne si Lëvizje Socialiste për Integrim e kemi tashmë prezent për ta prezantuar dhe ofruar të gjithë qytetarëve.
Kemi një program i cili ka në thelb të tij punësimin, një punësim të mirëpaguar, rimëkëmbjen e ekonominë dhe arsimin e brezit të ri, ku rinia jonë duhet të jetë konkurruese jo vetëm në tregun e punës por edhe në fushën e teknologjisë dhe inovacionit me vendet fqinje dhe pse jo rajonin tonë dhe pse jo edhe më gjerë në të gjithë botën.
Është koha për ndryshim dhe shqiptarët kanë nevojë për një ndryshim të shpejtë dhe të menjëhershëm,” theksoi Kryemadhi.