Me vdekjet që arritën në nivele rekord në 2020-s, si rrjedhojë e pasojave fatale të pandemisë së Covid-19 dhe tendencën rënëse të lindshmërisë, për herë të parë në historinë e Shqipërisë shtesa natyrore e popullsisë ishte negative në vitin që sapo lamë pas.
Sipas të dhënave paraprake nga Drejtoria e Gjendjes Civile, vdekjet në total në vend ishin 28,026 persona në 2020-n, me një rritje të fortë prej gati 28% në krahasim me vitin e mëparshëm, ose rreth 6 mijë persona më shumë se viti i mëparshëm, duke shënuar një nivel rekord historik të lartë.
Për të njëjtën periudhë, sipas akt lindjeve, në vend u regjistruan rreth 27,600 lindje, me një tkurrje të lehtë prej 0.2%. Për herë të parë në historinë e vendit, vdekjet i tejkaluan lehtë lindjet (me rreth 400 persona).
Në vitin 1900, shtesa natyrore e popullsisë ishte rreth 64 mijë persona, ndërsa në 2019-n zbriti në rreth 6 mijë persona, sipas të dhënave të INSTAT, duke shkuar drejt tendencës së barazimit të lindjeve me vdekjeve për një periudhë disa vjeçare. Por, pandemia e Covid-19 e përshpejtoi këtë proces, për shkak të numrit të lartë të fataliteteve.
Shqipëria bëhet në këtë mënyrë vendi i dytë në rajon, pas Serbisë, me shtesë natyrore negative.
Një tjetër faktor që ndikon në rënien e popullsisë është dhe niveli i lartë i emigracionit në dekadat e fundit, me rreth 40% të popullsisë që jeton jashtë. Tendenca e emigrimit është përshpejtuar sërish vitet e fundit, duke përfshirë dhe largimin e familjeve. Shifrat zyrtare të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2011-2019 janë larguar nga vendi mbi 360 mijë persona, ose 13% e popullsisë banuese në vitin 2011. Rezultatet dolën nga anketa e madhe e emigracionit që zhvilloi INSTAT, në bashkëpunim me donatorët në rreth 20 mijë familje (anktea u zhvillua në prill-korrik 2019). Anketa ka zbuluar një fakt të frikshëm në dekadën e kaluar, pasi fenomeni është zgjeruar në emigrimin e së gjithë familjes. Gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, popullsia rezidente e Shqipërisë në fillim të 2020-s ishte rreth 2.85 milionë persona, por do të jetë censi i radhës (i parashikuar për në 2020, por tashmë i shtyrë për në 2022), që do të tregojnë shifrat e vërteta të personave që kanë mbetur në Shqipëri. /O.Liperi/MONITOR