Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në Korçë, ku u ndal edhe te tregtimi i mishit.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama goditi sërish Bashkimin Evropian, teksa deklaroi se “Në 3-4 vitet e ardhshme është e mundur që ne të kemi dalje në treg, por ne nuk jemi të detyruar të presim tregun e BE domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera. Është e mundur që produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia në Lindjen e Mesme, e deri tutje”
Sipas tij, duhet durim, pasi gjërat nuk bëhen me shkop magjik, ndërsa sulmoi edhe opozitën, teksa u shpreh se pak vite më parë terrorizohej gjithë dynjaja nga thertorja e mishit.
“Më parë bëhej hataja, terrorizohej gjithë dynjaja nga thertorja e mishit. Unë e kuptoj padurimin, që në fakt mund të quhet një zbrazje e kupës pas shumë e shumë vitesh, e kuptoj edhe dëshpërimin e njerëzve, por nuk ka një formulë magjike. Nëse duam që gjenerata tjetër, gjenerata e atyre që sot janë në moshën e djalit tim të vogël, të jetojë nesër në një Shqipëri që nuk është vendi nga ku është e nevojshme të ikësh, duhet të kemi një durim të madh sot për t’i ndërtuar katet e ngrehinës në mënyrë sa më solide. Kemi humbur një gjeneratë, sepse nuk kemi bërë gjërat e duhur në vite. Shumë gjëra që i kemi bërë ne në këto 7 vite, duheshin bërë 17 vite më parë, dhe nuk do të ishim në këtë fazë, por nuk ka një rrugë për t’i rënë shkurt. Madje, rruga për t’i rënë shkurt është tentuar disa herë dhe ka dalë më gjatë. Është njësoj si skemat piramidale.
Ndaj na duhet një durim i madh për të kuptuar që proceset e shtetbërjes në të gjitha hallkat dhe ngritjes së zinxhirit të institucioneve, që të bëjnë punën e tyre, janë procese që kërkojnë kohën e tyre. Në 3-4 vitet e ardhshme është e mundur që ne të kemi dalje në treg, por ne nuk jemi të detyruar të presim tregun e BE domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera. Është e mundur që produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia në Lindjen e Mesme, e deri tutje. Kështu që, besoj se ka shumë hapësirë, që puna juaj në këtë sektor, të jetë një revolucion. Janë ndërtuar shembujt që tregojnë se nëse bën gjërat e duhura këtu bën sukses, si një aktor në një treg të madh. Nëse pret që shteti t’i bëjë të gjitha, nuk bën dot sukses, ka marrë fund”, ka pohuar Kryeministri Rama.