Protestat për Navalnyn në Rusi, qindra mbështetës të arrestuar

Qindra protestues raportohet se janë ndaluar teksa në Rusi po mbahen protesta mbarëkombëtare, ku po kërkohet lirimi i kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.

Kjo është fundjava e dytë me radhë që po mbahen protesta në Rusi. Protestuesit në Lindjen e Largët dhe në Siberi kanë nisur protestat, pavarësisht temperaturave të ulëta. Protesta të ngjashme pritet të mbahen në qytete në mbarë vendin.

Policia ruse ka dalë në Moskë dhe Shën Pertersburg për t’u përgatitur për protesta. Pamjet nga Current Time shfaqin policët që fusin në furgonët e tyre protestuesit të cilët kanë nisur të dalin në rrugët e Moskës dhe Shën Petersburgut.

Organizata OVD-Info ka raportuar për mbi 750 persona janë ndaluar në orët e para të protestave, përfshirë edhe mbi 100 të ndaluar në qytetin e Lindjes së Largët, Vladivostok dhe dhjetëra gazetarë në disa qytete të tjera. Kjo organizatë ka raportuar se aktivistët në disa qytete ruse janë vizituar nga policia para protestave anti-qeveritare, me qëllim që të frikësohen që të mos marrin pjesë në protesta.

Videot e xhiruara në Vladivostok, ku qindra protestues u arrestuan, shfaqin pjesëmarrësit në protesta të cilët kanë lidhur duart dhe kanë brohoritur “Putini është hajdut”. Në këtë vend, protestat u mbyllën pas dy orësh.

Ndërkaq, në pamjet e shfaqura në mediat sociale nga Kazani, shihen protestuesit duhet u përleshur me policinë.

Në qytetin Perm janë parë forca të shtuara të sigurisë. Në këtë qytet protestat kanë përfunduar. Në Irkutsk raportohet se 24 persona janë ndaluar nga autoritetet e rendit.

Një korrespondent i Radios Evropa e Lirë, që punon për Shërbimin Rus, Andrei Afanasyev është në mesin e të ndaluarve në qytetin Blagoveshchensk në Lindjen e Largët. Ai ishte duke raportuar për protestat në këtë qytet.

Policia ruse paraprakisht ka paralajmëruar protestuesit se është e “jashtëligjshme” pjesëmarrja në këto protesta dhe pjesëmarrësit do të përballen me akuza për shkelje të kufizimeve që lidhen me pandeminë e koronavirusit.

Fundjavën e kaluar, pothuajse 4,000 persona u arrestuan në protestat që u mbajtën në më shumë se 100 qytete ruse.

Që prej atyre protestave, autoritetet kanë arrestuar aleatët e Navalnyt dhe mbështetësit e tij.

Ekipi i Navalnyt ka planifikuar që të mbajë protesta në 142 qytete ruse dhe protesta më e madhe pritet të organizohet në Moskë, që pritet të nisë më vonë gjatë ditës.

Në kryeqytetin rus, protestuesit pritet të mblidhen në Sheshin Lubyanka, në afërsi të selisë së Agjencisë Federale të Sigurisë (FSB), në objektin e së cilës gjenden edhe zyrat administrative të presidencës.

Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny u arrestua më 17 janar, pasi arriti në Rusi nga Gjermania, ku ishte trajtuar për disa muaj, pas helmimit në gushtin e kaluar. Navalny thotë se pas këtij helmimi qëndron presidenti rus, Vladimir Putin. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Kremlini.

Një gjykatë në Rusi i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Prokurorët thonë se Navalny shkeli kushtet e pezullimit të një dënimi më 2014 që kishte të bënte me keqpërdorim fondesh.

Nëse Navalny gjendet fajtor se ka shkelur rregullat e lirimit nga burgu, ai mund të dënohet deri me tre vjet burgim.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme