Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vitin 2020 botoi “Atlasin linguistik të dialekteve maqedonase” (“Лингвистички атлас на Македонските дијалекти”, Скопје, 2020). Në këtë atlas paraqitet harta e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe vendet fqinje, në të cilën Republika e Kosovës është futur në kllapa (“Kosovo”), duke e paraqitur atë si pjesë të Serbisë.
Po ashtu kjo e fundit (Serbia) është shënuar në territorin e Kosovës (Shih hartën numër 36, nga autori Marjan Markoviq). Të gjitha shtetet tjera, si: Republika e Serbisë, Republika e Bullgarisë, Republika e Greqisë dhe Republika e Shqipërisë janë shënuar pa kllapa, transmeton gazeta Lajm.
Lidhur me këtë, ka reaguar Katedra e Historisë, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës.
“Ky “lëshim” nuk mund të shpjegohet ndryshe veçse si një veprim i qëllimshëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se Shkupi zyrtar e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. (Në tetor 2008, Republika e Maqedonisë së Veriut njohu pavarësinë e Kosovës. Më 17 tetor 2009, Shkupi dhe Prishtina vendosën zyrtarisht marrëdhënie diplomatike). Rrjedhimisht, kjo akademi, duke injoruar politikën shtetërore të RMV-së, me mjetet buxhetore të së cilës financohet, si dhe duke provokuar në veçanti shqiptarët, zbaton “kritere shkencore” të dorës së zgjatur të qarqeve të caktuara”, thuhet në reagim.
Historianëty e UT-së vlerësojnë se Akademia e Shkencave dhe e Arteve nuk duhet të shtrembëroj faktet, por ato duhet t’i paraqesë ashtu siç janë.
“Në këtë mënyrë, ajo, si një institucion i një nivelit të lartë shkencor, duhet të ushqej frymën e afrimit dhe të bashkëpunimit midis popujve dhe vendeve të rajonit.
Në kohën kur RMV përballet me sfida të ndryshme në politikën e jashtme (kontestet me disa vende fqinje), për tejkalimin e të cilave janë të angazhuar të gjithë popujt e vendit, Akademia e Shkencave dhe e Arteve duhet të kontribuoj për ta forcuar këtë unitet ndërnacional dhe jo të luaj rolin e faktorit destruktiv!
Kërkojmë nga ASHAM që ta tërheq atlasin dhe, me rastin e serishëm të botimit të tij, hartën e sipërpërmendur ta korrigjoj”, thesohet në reagimin nga Katedra e Historisë pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës.