Komisioni Europian shpreh keqardhje për zbatimin e vendimit të autoriteteve të Prishtinës lidhur me hapjen e ambasadës së Kosovës në Jeruzalem.
Në konferencën për shtyp në Bruksel, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petër Stano ka nënvizuar se vendim e largon Kosovën nga qëndrimi i Europës.
‘Kosova ka integrimin në Bashkimin Evropian si përparësinë të saj strategjike. BE pret që Kosova të veprojë në përputhje me këtë angazhim në mënyrë që perspektiva e saj Evropiane të mos minohet, ‘deklaroi Stano.
Ai tha se pozicioni i bllokut është i qartë për sa i përket marrëdhënieve diplomatike të shteteve anëtare dhe ambasadave të tyre që janë të vendosura në Tel Aviv dhe jo Jeruzalem.
Ai nxori në pah edhe rezolutën e Kombeve të Bashkuara përfshirë konkluzionet e Këshillit të ministrave të Bashkimit Europian lidhur me zgjidhjen e çështjes së Jeruzalemit.
Sipas të dyja qëndrimeve, çështja e Jeruzalemit duhet të zgjidhet përmes dialogut midis Palestinës dhe Izraelit dhe të dy vendet duhet të zgjidhin çështjen e Jeruzalemit si një kryeqytet i përbashkët në të ardhmen.