Kapen 12 afganë në kamion duke hyrë nga Maqedonia në Kosovë

Policia e Kosovës sot ka gjetur 12 shtetas të huaj të fshehur në një kamion me rimorkio, që dyshohet se janë kontrabanduar nga Maqedonia e Veriut, raporton “Zeri.info”.

“Më datën 04.02.2021, rreth orës 04:00, në linjën hyrëse të Republikës së Kosovës, në terminalin doganor Han i Elezit, nga Maqedonia e Veriut ka ardhur kamioni ngjyrë e bardhë me rimorkio me ngjyrë hiri, të cilën e drejtonte shtetasi m/s/RKS, me inicialet A. N., viti i lindjes (1983) nga Graçanica”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Nga ana e zyrtarëve policorë mjeti është selektuar për kontroll me pajisje – kamera.

“Gjatë kontrollimit kamera ka dhënë sinjale se në rimorkio mund të ketë të fshehur gjallesa. Pas sinjalizimit nga pajisja Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka këputur bllombën, është hapur rimorkio, ku edhe janë gjetur dymbëdhjetë (12) persona, shtetas nga Afganistani”, thuhet në njoftim.

Të gjithë personat janë kontrolluar nga ekipi mjekësor.

Bëhet e ditur gjithashtu se në bashkëpunim me prokurorin kompetent janë duke u kryer hetime lidhur me dyshimet për kontrabandim me migrantë, përderisa personat e identifikuar janë duke u trajtuar konform Ligjit për të Huaj në Kosovë. /Zëri

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme