Në prag të zgjedhjeve historike që të dielën mbahen në Kosovë, opozita e bashkuar shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ka dalë me përkrahje publike për Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti.
“Historia i dërgon popujve shenjat e saj ogurmira. Kurrë dhe asnjëherë nuk ka qenë më e qartë se tash kjo shenjë për shqiptarët e Kosovës. Krejt dhe Drejt shkoni dhe zgjidhni Albinin dhe shkruani historinë e atdheut tuaj kaq të dashur edhe për ne!”, apelon sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari.
Përkrahje të fuqishme ka shprehur edhe zyrtari i lartë i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi.
“Si përfundim, në këtë pjesë mund të themi se Albin Kurti është në këtë pozitë pikërisht për shkak të qëndrueshmërisë së tij dhe mosdorëzimit në kauzën e tij. Ai është shembulli më eklatant i politikanit që e mbron kauzën e vet me besim gati fanatik dhe, madje, edhe pa argumente empirike, por që kjo në fund t’i shpërblehet me sukses. Dhe, fati u buzëqesh atyre që besojnë në kauzën e tyre.
Përveç kësaj, duke e trazuar status quo-në e kënetës moçalike të skenës politike kosovare, ai është imponuar si protagonist i skenës dhe si i pari në dekadën e re të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Si krijues i fushës së re të politikëbërjes në Kosovë, kur edhe nga ndërkombëtarët është pranuar si partner kredibil, edhe “Kosovën e sovranitetit” e ka në dorë pikërisht ai”, shkruan Ibrahimi në kolumnën e tij të fundit.