Përveç fjalëve fyese, antishqiptare, tendencioze dhe skandaloze, libri i gjeografisë, i cili sipas plan-programit të Ministrisë së Arsimit e përdorin gjimnazistët e vitit të dytë, i mëson nxënësit edhe një të pavërtetë, se shteti shqiptarë është okupator i Maqedonisë së Veriut. Ky libër është botuar në vitin 2015, në kohën kur në krye të kësaj ministrie kishte ministër nga radhët e BDI-së, ndërsa është botuar nga 5 autorë maqedonas, kurse përgjegjësia e përkthimit siç qëndron në këtë libër bie mbi kryeredaktorin Refail Sulejmani.
Ja disa shembuj nga libri të cilat nxisin urrejtje ndëretnike dhe fetare.
Faqja 99 : Prej shqiptarëve të Maqedonisë ekzistojnë fise që e llogarisin vetveten si autokton. Kryesisht ata janë popullsi maqedone që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar. Midis tyre ka edhe nga ndonjë fis qe ka prejardhjen turke, rome ose çerkeze.
Në faqen 103: Gjatë Luftës së Dytë Botërore popullsia maqedonase në pjesën e okupuar të Maqedonisë Perëndimore nga ana e Shqipërisë, gjegjësisht Italisë, popullsia maqedonase ishte nënshtruar terrorit të fuqishëm. Për këtë shkak ajo ishte e detyruar të shpërngulet masovikisht nëpër qytete tjera të Maqedonisë.
Në faqen 104 : Imigrimi i popullsisë shqiptare në Maqedoni nuk është bërë spontanisht, por në masë të madhe me dhunë, i planifikuar, me ndihmën e qeverisë turke ose të agallarëve dhe bejlerëve turq, të cilët e kishin lejuar vendosjen e popullsisë shqiptare-muslimane. Për këtë ekzistojnë dëshmi autentike. Maqedonasit i kanë përzënë nga vendbanimet e tyre me metoda të ashpra, si me vjedhje, kidnapime, vrasje, maltretime fizike-rrahje, djegie e të tjera.
Sipas historianit Naser Miftari kjo problematikë është e kahmotshme dhe për të njëjtën tha se ka reaguar shumë herë. Ndërsa gjëra të tilla sipas tij kanë prapavijë të caktuar.
Naser Miftari, historian
“Është një problem që ka hasur në vesh të shurdhër tek ata që janë përgjegjës për një gjë të tillë, sepse kanë lejuar ndoshta me prapavijë, shumë herë jemi deklaruar në këtë drejtim me qëllime ndoshta vërtetë të caktuara….Është mëse evidente se këto tekste shkollore duhet të hiqen prej përdorimit. Këtë e kam thënë jo sot , por shumë më herët. Këtë e kam luftuar jo vetëm në lëndën e historisë, për të cilën unë ligjeroj, kam referuar në të gjitha lëndët, në të gjitha tekstet e tjera siç është rasti me gjeografinë, rasti me arsimit muzikor”.
Të pyetur nga TV Shenja, nga Ministria e Arsimit premtojnë se këtë libër si dhe të tjerat që kanë lëshime në tekste dhe përmbajtje, do të tërhiqen nga plan-programi mësimor.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës
“Lëshimet të cilat zvarriten ndër vite në më shumë tekste dhe materiale shkollore, përfshirë edhe librin e Gjeografisë për vitin e dytë në gjimnaz, me reformat do të tërhiqen plotësisht dhe zgjidhen sistematikisht. Në këtë rast bëhet fjalë për libër i miratuar sipas plan programit që nga viti 2020”.
Përndryshe, mediat në gjuhën shqipe vazhdimisht alarmojnë për tekstet skandaloze të literaturës shkollore në gjuhën shqipe. Ndërkohë, për shumë vite radhazi Ministria e Arsimit ka qenë e drejtuar nga ministra shqiptarë.