Policia e Elbasanit ka ndërhyrë këtë të mërkurë në ambientet që kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim në lidhje me arsimin, për të kërkuar respektimin e rregullave që synojnë të frenojnë përhapjen e koronavirusit.
“Po nuk jemi 10 veta ne këtu”, – iu përgjigj Kryemadhi efektivit të Policisë, të cilin e sfidoi duke i kërkuar ta plotësonin fletën e gjobës për ta, por njëkohësisht u kërkoi edhe “mos u bëni ushtarë. Merruni një herë me bandat”.
Policia në të gjithë vendin ka intensifikuar kontrollet prej dy ditësh, për shkelësit e rregullave anti-Covid. Forcimi i kontrolleve vjen pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili përmendi edhe politikanët që sipas tij janë ndër shkelësit e masave të vendosura, sidomos këto kohë që janë intensifikuar edhe takimet në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.
Një ditë më parë, Rama e përmendi kryetaren e LSI, për organizimet e saj, duke thënë “daljet e Monika Kryemadhit kanë qenë spektakolare”.
Ndërsa ka kërkuar nga policia të zbatojë detyrën dhe të vendosë gjoba edhe për politikanët që shkelin masat dhe japin një shembull të keq në një kohë që shifrat e infektimeve sa vijnë dhe rriten.
REPLIKAT E KRYEMADHIT ME EFEKTIVIN E POLICISE
Polici: Mirëdita si jeni?
Kryemadhi: Mirëdita
Polici: Në bazë të masave anti-Covid, mbi 10 veta nuk lejohet.
Kryemadhi: Po nuk jemi 10 veta ne këtu, ne këtu jemi 7 veta. Në kafe lejohet me pi kafe?
Polici: Edhe ajo për mediat nuk lejohet
Kryemadhi: Po pse nuk erdhët kur ishim live?! Vendosni gjobën dhe i drejtohemi gjykatave administrative. Merruni me bandat njëherë këtu, pastaj hajdeni na vendosni gjoba për maska. Merruni me bandat, kriminelët, me ata që ju përplasin makinat, pastaj hajdeni vendosni gjoba për maska. Mos u bëni ushtarë as të Taulantit as të shokëve të Taulantit.