Partitë opozitare kanë shtuar zërat për ndryshime në shumicën parlamentare, përbërjen e Qeverisë, por edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nga VMRO-DPMNE, por edhe nga Aleanca për Shqiptarët vlerësojnë se pushteti aktual nuk ka 61 vota në Kuvend dhe se është çështje ditësh kur do të formohet shumicë e re. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen bashkë me zgjedhjet lokale, por paraprakisht sipas tij nevojitet një Qeveri e re.
Hristijan Mickoski
“VMRO-DPMNE-ja po zhvillon bisedime edhe me parti nga opozita, por edhe me parti parlamentare që janë pjesë e Qeverisë, kështu që kur të arrijmë shumicë në Kuvend, do të dalim në publik dhe do ta prezantojmë këtë shumicë. Maqedonia ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, dhe termini i vetëm logjik, që të mos bëjmë shpenzime, janë zgjedhjet lokale. Fillimisht duhet të vjen një qeveri që do të përgatis terren të rrafshët për këto zgjedhje lokale dhe parlamentare”.
Edhe Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët thotë se ka informacione që shumica tanimë nuk është në kornizat e 61 votave dhe nuk përjashton mundësinë për formimin e një Qeverie të re. Taravari thotë se nuk ka negociata, por ai ka informacion se brenda shumicës ka pakënaqësi të mëdha.
Arben Taravari
“Ne nuk kemi negociata për shumicë të re, por e di se ka pakënaqësi të mëdha brenda koalicionit qeveritar. Sipas meje derisa po flasim ne, Qeveria nuk ka 61 vota, sipas meje, që nuk do të thotë se është ashtu. Por ditët në vijim do ta shohim këtë. Çdo gjë është e mundur, nuk e përjashtoj mundësinë që të jemi pjesë e një shumice të re, por pa BDI-në. Çdo kund e them, me djallin mund të bëjmë koalicion, por me BDI-në, jo”.
Partitë opozitare tani e disa ditë paralajmërojnë se në radhët e shumicës ka parti dhe deputetë që janë të pakënaqur dhe se mund ta braktisin koalicionin. Por nga ana tjetër kryeministri Zoran Zaev është kundërpërgjigjur duke thënë se nuk ka ndarje të tilla dhe se Qeveria sipas tij është stabile.