Arrestime në Telekomin e Kosovës, Policia: Arrestohen 4 persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Katër persona janë arrestuar në Telekomin e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka treguar se gjatë një operacioni policor të martën u arrestuar katër persona me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
“Sot me 30 mars 2021, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, ku pas kompletimit të rastit do të jepen informacione shtesë”, tregoi Kelani.
Ndërsa, nga zyra për komunikim e Telekomit të Kosovës kanë thënë për KosovaPress se janë arrestuar dy-ish punonjës.
“Janë dy ish punonjës te Telekomit të Kosovës, që ka kohe që nuk janë pjesë e jona”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.
Arrestohen dy ish-drejtorë të Telekomit të Kosovës
Drejtoria e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës ka arrestuar dy ish-drejtorë të Telekomit nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Burime të gazetës bëjnë të ditur se bëhet fjalë për ish-drejtorin e Marketingut në Telekom, T.M dhe A.O. ish-drejtor i Financave.
Gjithashtu janë prangosur edhe dy të tjerë, K.M., dhe D.S, ky i fundit i nacionalitetit turk.
K.M., dyshohet se ka ndihmuar në falsifikimin e dokumenteve, me qëllim arsyetimin e dhënies së telefonave për firmat që kanë pasur kontratë marketingu.
Sipas burimeve, dy të arrestuarit T.M dhe K.M janë vëllezër.
Arrestimi i tyre është bërë mëngjesin e sotëm.