Kërkojnë ministrinë e dytë, njohësit: Ankesa e Listës Serbe e pabazua

Nuk ekziston asnjë bazë ligjore që obligon Qeverinë Kurti t’ia jap edhe një ministri tjetër Listës Serbe. Kështu thonë njohës të çështjeve juridike në vend, pas ankesës së Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se privilegjet që i ka fituar Lista Serbe në të kaluarën nuk kanë qenë të mbështetura në Kushtetutë.

Ai thotë se kryeministri Albin Kurti ka ndarë ministritë për komunitetet joshumicë, ashtu siç e parasheh Kushtetuta.

Miftaraj: Kushtetuesja nuk mund ta obligojë Qeverinë Kurti edhe për një ministri më shumë për Listën Serbe

“Gjykata Kushtetuese sigurisht që duhet të vlerësojë nëse kërkesa e tyre është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës , nëse është në pajtim me planin e Ahtisarit i cili promovon të drejtat dhe liritë e komuniteteve joshumicë në Kosovë. Sidoqoftë duke marrë për bazë faktin që privilegjet që i ka përfituar Lista Serbe në të kaluarën nuk është se kanë qenë të mbështetura në Kushtetutë apo në ndonjë dokument tjetër ndërkombëtar që Kosova ka obligim ta zbatojë dhe marrëveshjet politike mund të jenë ad-hock, apo marrëveshje që mund të jenë të zbatueshme për një koalicion të caktuar në bazë të asaj që ka ndodhur prej shpalljes së pavarësisë e këtej”, thotë ai.

Për Gjykatën Kushtetuese, sipas Miftarajt, do të jetë e vështirë që të obligojë Qeverinë Kurti që të ofrojë më shumë se një ministri për Listën Serbe.

Miftaraj: Vështirë të obligohet Qeveria Kurti t’i ndajë një ministri më shumë Listës Serbe

“Në rastin konkret do jetë shumë e vështirë për Gjykatën Kushtetuese të miratojë apo të obligojë Qeverinë Kurti që të ofrojë më shumë se një ministri për Listën Serbe. Tri ministritë që janë ndarë në Qeverinë Kurti, janë ndarë për komunitetet jo shumicë në Kosovë, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, ashtu siç e parashohin obligimet ndërkombëtare në Kosovë, por që jo taksativisht dy ministri për Listën Serbe”, thekson ai.

Edhe Rreze Hoxha nga Grupi për Juridike dhe Politike (GLSP), thotë se ndarja e ministrive për komunitetet jo shumicë është qartësuar me Kushtetutë.

Ajo bënë të ditur se neni 96 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton edhe përbërjen e ministrive dhe përfaqësimin e komuniteteve.

Hoxha: Neni 96 i Kushtetutës përcakton përbërjen e ministrive dhe përfaqësimin e komuniteteve

“Ne te GLSP mendojmë që një gjë e tillë është shumë e qartë. Kjo rregullohet me nenin 96 të Kushtetutës së Republikës të Kosovës, i cili përkatësisht tregon përbërjen e ministrive dhe përfaqësimin e komuniteteve. Është paragrafi 3 i këtij neni, i cili thotë se ‘pa marrë parasysh numrin e ministrive nëse është më pak se 12, një ministër duhet të jetë nga komuniteti serb dhe një nga ndonjëri nga komunitetet tjera joshumicë. Ndërsa në rast që qeveria e Kosovës do të ketë më shumë se 12 ministri, atëherë edhe një minsitri duhet t’iu takojë njërit nga komuniteteve joshumicë. Pra, në këtë rast Kushtetuta nuk e përcakton specifikisht komunitetit serb, mirëpo thotë ‘edhe një ministri i takon komunitetit joshumicë’. Pra, kjo duhet të vendoset në kuadër të mandatarit dhe në bazë të marrëveshjeve të koalicionit që mund të krijohen”, thotë ajo.

Sipas saj, kjo sqarohet edhe në paragrafin pasues, i cili tregon përbërjen e qeverisë tek pjesa e zëvendësministrave.

Hoxha: Qeveria e tanishme është e obliguar që këtë post ta rezervojë për komunitetin serb

“Kjo situatë sqarohet edhe me paragrafin pasues, i cili tregon përbërjen e qeverisë tek pjesa e zëvendësministrave, ku thuhet se në situatën kur kemi më pak se 12 ministri, 2 zëvendësministra i takojnë komunitetit serb, 2 komuniteteve të tjera jo shumicë. Ndërsa, në rast se kemi më shumë se 12 ministri atëherë edhe një tjetër zëvendësministër i takon komunitetit joshumicë. Pra, nuk thuhet decidivisht që duhet t’i takojë komunitetit serb. Prandaj, jo domosdoshmërisht qeveria e tanishme është e obliguar që këtë post ta rezervojë për komunitetin serb”, shton ajo.

Fakti se Lista Serbe në të kaluarën ka pasur më shumë se një ministri, sipas saj nuk përbën shkelje Kushtetuese.

Ajo thotë se të dy mundësitë janë të hapura, pasi që Kushtetuta nuk e përcakton se cilit komunitet joshumicë duhet t’i takojë kjo pozitë.

“Në bazë të Kushtetutës së Republikës të Kosovës, nenit 96, paragrafit 3, në qeveri do të jenë së paku një ministër nga komuniteti serb, dhe një ministër nga komuniettet tjera joshumicë në Kosovë.

“Në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti Serb dhe një (1) Ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë.

4. Do të jenë së paku dy (2) zëvendësministra nga komuniteti Serb i Kosovës dhe dy (2) zëvendësministra nga komunitete të tjera joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë (12) ministra, Qeveria do të ketë edhe një zëvendësministër të tretë, i cili përfaqëson komunitetin Serb, dhe një (1) tjetër zëvendësministër, i cili përfaqëson një nga komunitetet e tjera joshumicë në Kosovë”, thuhet në nenin 96 të Kushtetutës.

Të hënën Lista Serbe ka dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese ndaj Qeverisë Kurti, me arsyetimin se kjo e fundit i ka ndarë vetëm një ministri./BS

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme