Ofensiva e frikshme kundër Albin Kurtit

Një ditë pas pranimit të vaksinave kundër koronavirusit, Kosova menjëherë filloi procesin e vaksinimit.

Vaksinën e parë e mori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se këtë e bëri me qëllim të inkurajimit të qytetarëve për t’u vaksinuar me AstraZeneca.

Kjo bëri që ai të marrë kritika të shumta, pasi sipas tyre, ai po e përdor pushtetin që ka, që të privilegjohet dhe të marrë vaksinën.

Por, një gjë të tillë e bënë edhe liderët botëror, si një siguri dhe inkurajim për qytetarët e vendeve të tyre, që të marrin vaksinat.

Përveç vaksinimit, për Kurtin u diskutua shumë edhe fakti që këto ditë ai ka ndryshuar edhe vendbanimin.

Kurti i cili ishte duke banuar në një banesë te parku i qytetit, tashmë ka vendosur të jetojë në një shtëpi në lagjen “Taslixhe”, të Prishtinës. Nga banesa mbi 60 metra katror sa ka jetuar deri tash, ai ka kaluar në një shtëpi disa katëshe.

Për këtë, zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu tha se kjo i është rekomanduar për shkak të sigurisë.

E, ishin këto dy veprime të kryeministri Kurti, që nxitën debat të ashpër në vend. I pari që hodhi “vrer” mbi ish-bashkëpartiakun e tij ishte kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj.

Lideri i Partisë Socialdemokrate ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për zhvendosjen e tij në një shtëpi prej 500 metrave katror në Taslixhe.

Ai ka deklaruar se kjo mund të dukej e pabesueshme para pak ditësh, por mendësia e tij çon këtu. Madje, i pari i PSD-së ka treguar se Kurti dikur thoshte se në politikë duhet të varfërohemi, e jo të pasurohemi.

Njohësit e rrethanave politike shprehen se partitë e inkriminuara të cilat për mbi 21 vite me radhë, vodhën, plaçkitën, zhvatën e përvetësuan kundërligjshëm çdo gjë në këtë vend, tanimë, përfundimisht kanë kaluar në një fazë të frikshme të halucinacioneve dhe nisën të kritikojnë vend e pavend.

Analistët janë të mendimit se të gjitha këto kritika ndaj Kurtit po vijnë për faktin se ky i fundit i ka shpallur luftë të hapur korrupsionit e krimit të organizuar.

Qarri: Janë hedhur në ofensivë totale kundër Albin Kurti

Image

Gani Qarri

Lidhur me akuzat e lëshuara në drejtim të kryeministrit të qeverisë aktuale, ka folur njohësi i çështjeve politike në vend, Gani Qarri.

Qarri në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partitë e inkriminuara nga frika e të bëmave në të kaluarën tashmë kanë kaluar në një fazë të frikshme të halucinacioneve dhe nisën të kritikojnë vend e pavend e pa asnjë kontroll.

Ai e konsideron si të habitshme se si kritikohet i pari i Qeverisë së Kosovës, vetëm për faktin se ai, nuk ka ble, e shitur me përfitime të larta monetare, as nuk ka vjedhë e përfituar pasuri e para si ata, por vetëm e ka ndërruar banesën e tij të vogël, një pak më të madhe.

“Partitë e inkriminuara të cilat, për mbi 21 vite me radhë, vodhën, plaçkitën, zhvatën e përvetësuan kundërligjshëm çdo gjë në këtë vend, duke u bërë brenda nate multimilioner nga frika e përgjegjësisë dhe përballjes me ligjin për bëmat e tyre makabre antiligjore gjatë dy dekadave të kaluara, duket se tanimë, përfundimisht kanë kaluar në një fazë të frikshme të halucinacioneve dhe nisën të kritikojnë vend e pavend e pa asnjë kontroll qoftë edhe minimal të arsyeshmërisë politike, pozitën aktuale e veçanërisht kryeministrin Kurti. Madje, për t’u bërë habia edhe më e madhe, kryeministri Kurti u kritikua edhe vetëm për faktin se ai, nuk ka ble, e shitur me përfitime të larta monetare, as nuk ka vjedhë e përfituar pasuri e para si ata, por vetëm e ka ndërruar banesën e tij të vogël, duke marrë me qira, një pak më të madhe, për shkak të rritjes së volumit të punëve, familjes dhe nevojës për hapësirë më të madhe, nga zgjerimi i aktivitetit, tanimë jo vetëm partiak, por kryesisht qeveritar dhe shtetërorë”, ka thënë fillimisht Qarri.

Sipas Qarrit, të gjitha këto kritika vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila sipas analistit, po luan aktet e fundit makabre të saj, si subjekti më i pështirë krimo-politik në vend.

“Për aq më tepër, pas humbjes së turpshme të partive më të kriminalizuara në vend, e sidomos të asaj që njihet si ‘ama e klanit Pronto’ dhe korrupsionit e krimit të organizuar në vend-PDK, duket se ajo tanimë, po luan aktet e fundit makabre të saj, si subjekti më i pështirë krimo-politik, që mbi dy dekada ka kriminalizuar çdo gjë në këtë vend, kurse tash po mundohet ta luaj një lojë tjetër të ri edhe më perverse, në mënyrë që për marrëveshjet dhe pazaret e dëmshme të shtetit të Kosovës ta merr me vete në bashkëfajësi dhe ngarkojë me përgjegjësi edhe qeverinë e sapo formuar, duke akuzuar të parin e saj Albin Kurtin, vetëm pse e paska ndërruar edhe banesën, përderisa në 21 vitet e fundit, ata vet shesin, blejnë, e ndërrojnë vilat milionëshe, sa herë t’u teket, pa i dhënë llogari askujt”, është shprehur ai.

Qarri më tej ka deklaruar se të gjitha këto akuza dhe kritika në drejtim të Kurtit po vijnë për faktin se kreu i qeverisë aktuale i ka shpallur luftë të hapur korrupsionit e krimit të organizuar.

“Tash e mbi dy dekada, askush nuk e di, mënyrën e grumbullimit dhe përvetësimit të gjithë kësaj pasurie nga ta, në një vend kaq të varfër e të vogël si Kosova. Ndaj tanimë kur drejtësia pritet t’u trokas vet atyre në derë, për bëmat mbi 21 vjeçare, duke mos ditur si t’i arsyetojnë milionat e grumbulluar, dhe pasuritë marramendëse të përvetësuara me tenderomani, korrupsion, e krim të organizuar, udhëheqësit e partive të inkriminuara, janë hedhur në ofensivë totale kundër pozitës aktuale, qeverisë së re dhe vet kryeministrit Kurti, vetëm pse ai u ka shpallur luftë të hapur korrupsionit e krimit të organizuar, kokat e të cilëve gjenden në ish-pozitën e deritanishme, që për 21 vite me radhë, vodhën, plaçkitën, zhvatën e përvetësuan kundërligjshëm çdo gjë, duke u bërë brenda nate, multimilioner, gjë që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër, sado të madh dhe të pasur evropian”, ka deklaruar analisti.

Partitë humbëse duan ta refuzojnë edhe demokracinë pluraliste, vetëm pse humbën zgjedhjet

E, sa i përket vaksinës, Qarri mendon se Kurti këtë e ka bërë për t’i dhënë qytetarëve të vendit më shumë siguri.

“Kurse, për t’u bërë habia edhe më e madhe, kryeministri Albin Kurti së fundmi nga krerët e dyshuar për korrupsion e krim të organizuar të opozitës aktuale, me të cilët së shpejti ligji dhe drejtësia e reformuar, pritet të ketë shumë punë e padyshim edhe mjaft telashe me ta, është kritikuar edhe për marrjen e vaksinës, gjë që siç kemi parë deri më tani, secili kryeministër, që nga presidenti Joe Biden në SHBA, kryeministri nga Izraeli dhe disa shtete të Bashkimit Evropian, kanë vepruar njëjtë, për t’u dhënë popujve të tyre më shumë kurajë dhe siguri, në vaksinimin sa më masiv të popullsisë, kundër pandemisë me Covid -19, që ka mbërthyer njerëzimin kudo dhe bllokuar lëvizjet dhe aktivitetet normale edhe të këmbimeve tregtare gati në gjithë botën”, ka shtuar Qarri.

Njohësi i rrethanave politike në vend ka nënvizuar se partitë humbëse të zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke mos dashur t’i nënshtrohen as gjykimit të sovranit dhe ta pranojnë pa kushte realitetin e krijuar politik, duan ta refuzojnë edhe demokracinë pluraliste.

“Madje nga frika se së shpejti vet mund të akuzohen, drejtpërsëdrejti nga prokuroria dhe gjyqësia e reformuar e shtetit, për hajni, zhvatje, korrupsion, keqpërdorim të pozitave zyrtare, e krim të organizuar në vend, partitë humbëse të zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke mos dashur t’i nënshtrohen as gjykimit të sovranit dhe ta pranojnë pa kushte realitetin e krijuar politik, duan ta refuzojnë edhe demokracinë pluraliste, vetëm pse ata humbën dhe rezultati zgjedhor shkojë përtej parashikimeve të tyre duke kaluar në referendum gjithëpopullor për ndryshime politike, dhe përjashtuar ata përfundimisht nga qeverisja e mëtejme e vendit, pas dekadave me kaos e anarki ligjore, kur edhe majat e shtetit bashkë me institucionet më të rëndësishme të vendit, ishin të kapura prej tyre, dhe ata qëndronin edhe mbi ligjin, duke sunduar si monark, gjë që më nuk do të jetë e mundur, dhe pikërisht kjo, të inkriminuarve për dy dekada me radhë, u dhemb shumë, sepse tani ka ardhë koha që të japin përgjegjësi para ligjit, për të gjitha”, ka nënvizuar njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, për gazetën “Bota sot”.

Kadriaj: Kritika ndaj Kurtit për vaksinën është banale – ndërrimi i vendbanimit nuk ka asgjë të keqe

Image

Mustafë Kadriaj

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Mustafë Kadriaj, shprehet se kritikat e fundit që janë drejtuar në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, janë banale.

Ai madje është i mendimit se opozitës aktuale që në fillim i ka humbur sensi i politikbërjes.

“Vlerësoj që opozitës i ka humbur sensi i politikbërjes, si duket ende nuk e kanë marrë veten nga humbja. Kritika ndaj kryeministrit Kurti pse e ka marr vaksinën është banale për faktin që secili njeri me mendje të shendosh do të vepronte njëjte, edhe nëse flas në veten e parë sepse marrja e vaksinës nga kryeministri tregon gatishmëri nga shefi i qeverisë, dhe rritë dozën e sigurisë tek qytetari. Për mua do ishte e pakuptimtë sikur të mos vaksinohej”, ka thënë analisti politik.

Kurse, sa i përket ndërrimit të vendbanimit, Kadriaj konsideron se nuk ka asgjë të keqe, ndërsa akuza të fundit drejtuar kryeministri mendoj se janë humbje kohë.

Në fund, analisti Kadriaj i ka bërë thirrje opozitës që të fillojë reformat e brendshme, dhe t’i largojë nga skena politike figurat të cilat janë irrituese për qytetarin.

“Poashtu edhe ndërrimi i vendbanimit nuk ka asgjë të keqe dhe është humbje kohe më u marr me ketë temë. Pra, me këtë sjellje opozita vetëm do e devalvon veten dhe do shkojë në favor të kryeministrit Kurti dhe po dalin qesharak. Opozita duhet të ketë parasysh dy gjëra; e para të merret me vetveten, të ofrojë kuadro afër vetes të largojë nga skena këto figura të cilat janë irrituese për qytetarin për shkak të së kaluarës, dhe të ndryshojë qasje në kritiken opozitare, si dhe e dyta duhet të presim si do e fillon jetësimin e qeverisjes kryeministri Kurti, dhe nëse ka tema që duhet të ngritën janë mirëqenia, korrupsioni si dhe qasja ndaj dialogut”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike në vend, Mustafë Kadriaj, për gazetën “Bota sot”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme