Faton Brahimi, i cili dje ka vrarë djalin e axhës së tij, Bashkim Brahimaj, pas kryerjes së veprës është arratisur, për çfarë Policia po kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e tij. Policia thotë se personi në kërkim konsiderohet i rrezikshëm dhe të jetë i armatosur.
Policia e Kosovës, sot ka shpallur person në kërkim dhe ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin Faton Brahimit, autorit të vrasjes së djeshme në Novosellë të Pejës, i cili në një konflikt për çështje pronësore ka vrarë djalin e axhës së tij, Bashkim Brahimaj.
Policia ka publikuar fotografinë e të dyshuarit për vrasje dhe ka bërë përshkrimin e tij. Po ashtu, është publikuar një fotografi e armëve dhe municionit të konfiskuar nga policia gjatë bastisjes në shtëpinë e dorasit, transmeton Telegrafi.
Policia thotë se personi në kërkim konsiderohet i rrezikshëm dhe të jetë i armatosur.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në njoftim.