Nuk punon sepse druan për sigurinë e vajzës 12-vjeçare

Hana nga Prishtina, e cila ka përfunduar Fakultetin e Pedagogjisë në Universitetin e Prishtinës, ka vendosur të mos kërkojë punë.

Kjo për të shkak vajzës se saj 12-vjeçare dhe djalit, që tashmë është pesë vjeç.

Hana për çdo ditë dërgon dhe merr vajzën e saj nga shkolla. Ajo e bën këtë gjë, për, siç thotë, sigurinë e vajzës së saj, e cila vijon mësimin në klasën e gjashtë në një shkollë fillore në Prishtinë.

Hana thotë se është e brengosur për shkak se gjatë kohës që pret në oborrin e shkollës, në hapësirat brenda dhe jashtë shkollës, në disa raste ka dëgjuar fjalë të pahijshme që djemtë u kanë thënë vajzave.

“E dërgoj çdo ditë vajzën në shkollë, kujdesem vetë, për shkak se shoh shumë parregullsi në oborrin e shkollës, kam parë ngacmime të ndryshme që djemtë i bëjnë vajzave. Dhe për këtë arsye e dërgoj dhe e marrë vetë”, tha Hana për Radion Evropa e Lirë.

Abuzimet dhe ngacmimet seksuale ndaj nxënësve në shkolla, janë fenomene mjaft të pranishme dhe shumë shqetësuese, thotë edhe Ymret Reshitaj, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës.

Protestë në Prishtinë për sigurinë e vajzave në shkolla
   
Ky Këshill, thotë ai, disa herë e ka ngritur këtë problematikë tek institucionet e larta, me qëllim që të parandalohen sjelljet delikuente dhe që shkollat të jenë ambient i sigurt për nxënësit. Reshitaj shprehet se udhëheqësit e shkollave duhet të jenë më të kujdesshëm dhe më të angazhuar në parandalimin e këtyre dukurive.

“Megjithatë, faktet në terren dëshmojnë se drejtorët e shkollave në nivel vendi, nuk janë as për së afërmi në nivel të kryerjes së detyrave, ashtu siç i obligon ligji. Prandaj, edhe rastet e tilla, manifestohen, shqetësojnë dhe lëndojnë shpirtrat e gjithsecilit prind, nxënës dhe qytetarëve në përgjithësi”, shtoi Reshitaj.

Mediat vendore në Kosovë, javën e kaluar kanë shpërndarë një video ku pretendohet për ngacmim seksual të një të miture nga tre fëmijë, në oborrin e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë.

Drejtoria e kësaj shkolle, përmes një komunikate për media, ka thënë se që nga pranimi i videos (më 24 prill), nga burime të paidentifikuara, për rastin në fjalë ka ndërmarrë të gjitha masat si brenda edhe jashtë shkollës, duke njoftuar prindërit e të dy palëve, Policinë e komunitetit, Qendrën për Punë Sociale dhe organe të tjera kompetente, dhe të gjithë personat që kanë mundur të preken në mënyrë indirekte nga rasti.

Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijë (KOMF), i ka bërë thirrje Qendrës për Punë Sociale që me prioritet të ofrojë shërbime për mbrojtjen dhe rehabilitimin për fëmijën dhe të ndërmerren të gjitha shërbimet e nevojshme për fëmijët e tjerë.

Në vitin 2021, 21 raste të ngacmimit seksual

Vetëm gjatë këtij viti, në Policinë e Kosovës, për veprën penale “Ngacmimi seksual” janë raportuar gjithsej 21 raste, pa dallim moshe, thuhet në një përgjigje të zyrës për informim të policisë, ku nuk specifikohen rastet që kanë ndodhur në shkolla.

Për një ambient më të sigurt, thotë Policia e Kosovës, duhet që bashkëpunimi reciprok të jetë edhe më i madh, të ketë shkëmbim të informacioneve, raportim të drejtë dhe me kohë të rasteve dhe informatave.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet.

Shahini: Ngacmimet seksuale, fenomen në rritje

Mimoza Shahini, psikiatre për fëmijë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë rasti i fundit ka qenë vetëm një zile për të treguar një fenomen, i cili është jo i rrallë në mjediset e shkollave. Madje, sipas saj, më shqetësuese është fakti se ka disa raste të abuzimit seksual të të njëjtës gjini.

“Sidomos, kur bëhet fjalë për abuzimin e djemve në mes djemve. Unë kam dy raste të cilat kanë qenë të lidhura me abuzim seksual në mes djemve. Kështu që si fenomen është i lidhur ngushtë me mënyrën se si po rriten dhe zhvillohen adoleshentët sot në Kosovë”, thotë Shahini.

 Edhe Hana shpreh shqetësimin për fenomenin e abuzimeve dhe ngacmimeve seksuale nëpër shkolla. Ajo thotë se prindërit duhet të edukojnë më shumë fëmijët për sjelljet e tyre dhe njëherësh, Qeveria e Kosovës të krijojë mundësi që çdo shkollë të ketë pedagogë dhe psikologë dhe të krijojë ambient të sigurt për fëmijët.

“Kam edhe një kërkesë, që shkollat të kenë psikologë, pedagogë dhe policë pa uniforma rreth hapësirave të shkollës sepse ka fëmijë të papërgjegjshëm, vijnë fëmijë nga rrethet që nuk janë nxënës në shkollën, ku mëson vajza ime. Kam parë fëmijë me thika në duar, kam parë gjëra negative, por jo veprime ekstreme”, thekson ajo.

Prania e pedagogëve dhe psikologëve në institucionet arsimore është jashtëzakonisht e dobishme për shkollën dhe shëndetin e fëmijëve, shprehet Shahini, duke shtuar se autoritetet kompetente duhet të marrin seriozisht angazhimin e psikologëve shkollorë nëpër institucionet arsimore.

“Prandaj, Universitetit i Prishtinës, përkatësisht Departamenti i Psikologjisë, duhet të rrisë kapacitetet e veta për psikologë shkollorë, të cilët duhet të dallohen sepse ne kemi në shkollë psikologë të cilët nuk kanë përfunduar për psikolog shkollor, por kanë përfunduar thjesht Psikologjinë”, tha ajo.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk ka dhënë ndonjë informacion se sa psikologë dhe pedagogë ka nëpër shkolla.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë prezantimit të programit qeverisës për vitet 2021-2025, të hënën në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se do të punësohen 400 pedagogë psikologë dhe punëtorë socialë në kuadër të konsolidimit të shërbimit psiko\pedagogjik në shkolla.

Ndryshe, rreth 72 për qind e fëmijëve në Kosovë raportohet të kenë përjetuar ndonjë disiplinë të dhunshme. Në përgjithësi, 30 për qind e fëmijëve të moshës një deri në 14 vjeç kanë përjetuar ndëshkim fizik dhe në mesin e tyre gjashtë për qind kanë përjetuar ndëshkim të rëndë fizik. Këto janë të dhënat e një ankete të Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuar (UNICEF)./REL

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme