Ish-ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Numan Baliq, është dënuar me dy vjet burgim, për abuzim seksual ndaj një pacienteje. Për 2 vite, Baliqit i ndalohet dhe ushtrimi i profesionit të mjekut. Në 12 gusht 2020, gjatë ushtrimit të profesionit, ai ka shfrytëzuar gjendjen jo të mirë shëndetësore, të shtetases me iniciale A.I.dhe ka tentuar të abuzojë me të.
Atë natë, vajza ndodhej në repartin e ortopedisë, pasi kishte hospitalzuar foshnjën e saj, gjashtëmuajshe, raporton Radio Evropa e Lirë. Ndërkohë, vetë ish-ministri, ka hedhur poshtë akuzën.
Lajmi për vendimin ndaj Baliqit vjen pak ditë pasi mediat lokale në Kosovë kanë shpërndarë një video ku pretendohet për ngacmim seksual të një të miture nga tre fëmijë, në oborrin e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë.
Më 19 maj, dhjetëra përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar siguri më të madhe për vajzat në shkolla.
Protestuesit kanë kërkuar futjen e lëndës së Edukatës seksuale në programin arsimor, ambiente të sigurta për nxënësit, dhe angazhimin e punëtorëve socialë dhe të psikologëve në shkolla, shkruan REL.