Qeveria dhe institucionet e Kosovës nuk kanë probleme me serbët lokalë, por me strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Ai thotë se përkundër vendimit të Listës Serbe për të bojkotuar Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, përfaqësuesit e këtij subjekti politik nuk e kanë ndërprerë në asnjë moment aktivitetin e tyre politik brenda institucioneve shtetërore të Kosovës.
Mustafa ka thënë për Radion Evropa e Lirë se i ka ftuar përfaqësuesit e Listës Serbe që të kthehen në qeveri.
“I kemi ftuar anëtarët e qeverisë nga Lista Serbe. Ata nuk kanë ardhur që të bisedojnë. Por, janë shprehur se po i kryejnë detyrat e tyre nëpër zyre dhe është fakt që ata dalin në zyre, i kryejnë punët, udhëtojnë dhe kërkojnë që ne t’ua mbulojmë edhe shpenzimet e udhëtimeve”.
“Kemi biseduar po ashtu edhe me disa përfaqësues të Listës Serbe në Kuvend, por kanë probleme, sepse dëshirojnë që kthimin e tyre ta bëjnë bashkërisht dhe të mos kthehen pjesë – pjesë”, ka thënë Mustafa.
Javën e kaluar, kryeministri Isa Mustafa mori vendim që të shkarkojë nga detyraministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, duke emëruar në vend të tij Mirjana Jevtiqin, po nga Lista Serbe, e cila ka marrë sot detyrën edhe zyrtarisht. Për këtë vendim, kabineti i Mustafës nuk ka dhënë shumë shpjegime, por ka kumtuar se është konsultuar edhe me Listën Serbe.
Vendimi i Mustafës nuk ka kaluar pa tensione politike brenda Listës Serbe, sado që për këtë çështje udhëheqësit e Listës hezitojnë të flasin.
Kryesuesi i Listës Serbe, Sllavko Simiq, thuhet se është ai i cili i din mirë arsyet e shkarkimit të Mariqit, ngase këtë çështje e ka diskutuar me kryeministrin Isa Mustafa. Por, ai nuk është prononcuar.
Kurse zëvendëskryeministri i Kosovës, i cili po ashtu i takon Listës Serbe, Branimir Stojanoviq, thotë se vendimi për shkarkimin e Mariqit e kishte edhe mbështetjen e Listës Serbe.
Sipas tij, në Listën Serbe ka zyrtarë që janë të gatshëm që t’i vënë interesat personale para interesave të komunitetit serb.
“Kjo nuk është hera e parë e as e fundit. Lista Serbe duhet të piqet politikisht dhe ky është proces që do të zgjas”, ka thënë Stojanoviq.
Megjithatë, aktualisht në komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, po zhvillohet një fushatë ndaj ministres së re, çka vërehet edhe me vendosjen e disa fotografive, në përpjekje për të denigruar personalitetin e saj.
Jashtë këtyre tensioneve nuk qëndron as Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ai e ka ftuar ministren e re serbe, Mirjana Jevtiq, që të mos e pranojë detyrën e re, të cilën ia ka besuar kryeministri i Kosovës. Për Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, vendimi i Mustafës për emërimin e ministres së re, në vend të Mariqit, nuk duket ende çështje e kryer.
Zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Dushan Kozarev, ka shprehur bindjen e tij se çështja do të zgjidhet së shpejti. Ai ka inkurajuar serbët e Kosovës që t’i tejkalojnë problemet dhe të vazhdojnë punën.
Lista Serbe është subjekt politik që përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, si në nivelin lokal, ashtu edhe atë qendror. Ky subjekt politik është themeluar nga Beogradi zyrtar me qëllimin që të përfaqësojë komunitetin serb, por edhe të mbrojë vijën e politikës së Qeverisë së Serbisë në institucionet e Kosovës.
Ajo që analistët politik kanë vërejtur brenda kësaj Liste është se ka disa rryma brenda saj.
Dy rrymat më të fuqishme politike besohet se janë të afërta, njëra me shefin e tashëm të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq dhe tjetra me ish-përfaqësuesin e Serbisë në Kosovë, Aleksandar Vulin.
Në këso rrethana, besohet se Lista Serbe po përballet, në njërën anë me sfidat e ruajtjes së unitetit të brendshëm, i cili duket se po bëhet më i brishtë, dhe në anën tjetër me prezantimin e politikës dhe qëndrimit unik të saj karshi institucioneve të Kosovës. (REL)