Gjermania ka pranuar zyrtarisht kryerjen e genocidit gjatë okupimit të saj kolonial të Namibisë, dhe njoftoi ndihmën financiare me vlerë më shumë se 1.1 miliardë euro.
Kolonizuesit gjermanë vranë dhjetëra mijëra njerëz Herero dhe Nama atje në masakrat e fillimit të shekullit 20.
Ministri i Jashtëm Heiko Maas tha se vendi i tij kërkonte falje nga Namibia dhe pasardhësit e viktimave. Por aktivistët thonë se ndihma nuk është e mjaftueshme për të adresuar vuajtjet e shkaktuara.
Paratë me sa duket do të paguhen për 30 vjet përmes shpenzimeve në infrastrukturë, kujdes shëndetësor dhe programe trajnimi duke përfituar komunitetet e prekura.
“Tani do t’i referohemi zyrtarisht këtyre ngjarjeve si ato nga perspektiva e sotme: gjenocid”, tha Z. Maas, duke shtuar se veprimet e epokës koloniale duhet të diskutohen “pa u kursyer”.
Një zëdhënës i qeverisë namibiane i tha agjencisë së lajmeve AFP se njohja e Gjermanisë ishte “një hap i parë në drejtimin e duhur”.
Çfarë ndodhi gjatë genocidit?
Deklarata e së premtes erdhi pas pesë vjet negociatash me Namibinë – e cila ishte nën okupimin gjerman nga 1884 në 1915.
Mizoritë e kryera janë përshkruar nga historianët si “gjenocidi i harruar” i fillimit të shekullit 20, në atë që asokohe njihej si Afrika Jugperëndimore Gjermane.
KB përcakton gjenocidin si një numër veprimesh, përfshirë vrasjet, të kryera me qëllim për të shkatërruar, plotësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar.
Gjenocidi filloi në 1904 pas një rebelimi në Herero dhe Nama për konfiskimet gjermane të tokave dhe bagëtive të tyre. Kreu i administratës ushtarake atje, Lothar von Trotha, bëri thirrje për shfarosjen e popullsisë si përgjigje.
Të mbijetuarit nga popullata Herero dhe Nama u detyruan të shkojnë në shkretëtirë dhe më vonë u vendosën në kampe përqendrimi ku u shfrytëzuan për punë.
Shumë vdiqën nga sëmundje, rraskapitje dhe uri, ndërsa disa i nënshtruan shfrytëzimit seksual dhe eksperimentimeve mjekësore. Mendohet se deri në 80% të popullsive autoktone vdiqën gjatë genocidit – me një numër të vdekurish në dhjetëra mijëra.
Gjermania më parë ka pranuar mizoritë por përjashtoi pagimin e dëmshpërblimeve. Në 2018 ata riatdhesuan disa mbetje njerëzore në Namibi të cilat ishin përdorur si pjesë e hulumtimit tani të diskredituar duke u përpjekur të provonin epërsinë racore të evropianëve të bardhë.
Marrëveshja e fundit thuhet se u ra dakord gjatë një raundi negociatash të mbajtura nga të dërguarit specialë në mes të majit.
Një deklaratë pritet të nënshkruhet nga ministri i Jashtëm gjerman në kryeqytetin namibian, Windhoek, muajin tjetër përpara se të ratifikohet nga Parlamenti i secilit vend, thonë raportet e mediave gjermane.
Presidenti Frank-Walter Steinmeier pritet të udhëtojë në vend për të kërkuar falje zyrtarisht.