Formimi i një qeverie nga kundërshtarët, reagon Netanyahu

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu është shprehur kundër formimit të një qeverie nga kundërshtarët e tij.

Ai ka thënë se një qeveri e propozuar e unitetit, që synon zëvendësimin e tij, do të ishte një rrezik për sigurinë e vendit.

Netanyahu u bëri thirrje kolegëve të partive të djathta të mos mbështesin një marrëveshje për formimin e qeverisë, pasi ultranacionalisti, Naftali Bennett, tha se ai do të formonte një koalicion me një parti të qendrës.

Kundërshtarët e Netanyahut kanë kohë deri të mërkurën për të formuar qeverinë.
Reklamë

Nëse ia dalin me sukses kësaj nisme, kjo do të sillte fundin e udhëheqjes së Netanyahut, i cili ka qëndruar në pozitën e kryeministrit më shumë se çdo politikan tjetër. Netanyahu, i cili përballet me akuza për korrupsion, nuk arriti të fitojë shumicën e duhur në zgjedhjet e përgjithshme në muajin mars.

Këto ishin zgjedhjet e katërta që janë mbajtur në Izrael brenda dy vjetësh.

Por, kundërshtarët e tij mund të jenë në gjendje të formojnë vetëm një qeveri pakice, të mbështetur nga anëtarët arabë të parlamentit.

“Mos formoni një qeveri të majtë – një qeveri e tillë është një rrezik për sigurinë dhe të ardhmen e Izraelit”, tha të dielën, Netanyahu, 71-vjeç.

“Çfarë ndikimi do të ketë kjo në aftësinë parandaluese të Izraelit? Si do t’i shohim armiqtë tanë? Çfarë do të thonë ata në Iran dhe Gaza?”, pyeti Netanyahu.

Netanyahu akuzoi politikanin Bennett për “mashtrim të publikut” dhe për kryerjen e “mashtrimit të shekullit”. Ai i bëri këto deklarime pasi kujtoi premtimet e mëparshme të udhëheqësit të partisë Yamina për të mos bërë koalicion me Yair Lapid, udhëheqësin kryesor të opozitës.

Më herët, Bennett, 49 vjeç, tha se partia e tij do t’i bashkohej bisedimeve për të formuar një qeveri uniteti.

“Netanyahu nuk po përpiqet më të formojë një qeveri të krahut të djathtë sepse ai e di mirë se nuk ka një të tillë”, tha Bennett.

“Unë do të bëj gjithçka për të formuar një qeveri të unitetit kombëtar me mikun tim Yair Lapid”, shtoi ai.

Para njoftimit, media izraelite raportuan se në bazë të marrëveshjes së propozuar për formimin e qeverisë së unitetit, Bennett do të zëvendësonte Netanyahun si kryeministër dhe më vonë do t’i linte vendin Lapid, 57 vjeç.

Përmbajtja e marrëveshjes nuk është konfirmuar zyrtarisht. Koalicioni i propozuar do të bashkonte partitë e djathta, të majta dhe të qendrës.

Derisa palët kanë pak qëndrime të përbashkëta politike, ata i ka bashkuar dëshira për të rrëzuar Netanyahun nga pushteti.

Ish-ministri i Financave, Lapid, ka kohë deri më 2 qershor për të formuar një qeveri të re të koalicionit, pasi Netanyahu nuk arriti ta bënte këtë.

Në zgjedhjet e fundit, partia e tij Yesh Atid doli e dyta pas partisë së Netanyahut, Likud, që është parti e krahut të djathtë. /rel

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme