Sulmet në kryeqendrat evropiane janë sulme kundër civilizimit dhe vlerave që me shumë sakrificë janë ndërtuar. Është detyrë e të gjithë neve që t’i mbrojmë këto vlera, duke lënë një trashëgimi për brezat e ardhshëm.
Kështu ka thënë presidenti Hashim Thaçi, duke theksuar se populli i Kosovës ndan dhimbjen me familjet, popujt dhe shtetet e Gjermanisë dhe Zvicrës për të vrarët dhe të plagosurit në sulmet në Berlin dhe në Cyrih.
“Njësoj i dënueshëm është edhe akti i vrasjes së diplomatit rus në Ankara. Diplomatët janë ura mes shteteve dhe kombeve, përmes punës së tyre për përmirësimin e komunikimit dhe mirëkuptimit mes popujve. Ata janë çelës i zgjidhjes së problemit e jo vetë problemi”, u shpreh Thaçi.
“Nuk mund të zmbrapsemi para dhunës, por duhet të qëndrojmë të fortë, të përgatitur dhe vigjilentë në angazhimin tonë për paqe dhe stabilitet”, potencoi ai në fund.