Fata Orloviq, gruaja më e përmendur e ditëve të fundit në Bosnje, ka thënë që sot e pati njërin prej mëngjeseve më të jashtëzakonshme të jetës së saj.
Një ditë më parë, autoritetet e shtetit më të komplikuar në Evropë, rrëzuan një kishte ortodokse, e cila ishte ndërtuar para më shumë se 25 vjetëve në oborrin e saj.
Fata Orloviq është myslimane.
“E more biri im, pas gati 30 vjetëve, sot e shijova kafenë më të mirë në jetë”, tha ajo, transmeton Novosti. “Pas kaq shumë viteve fitoi drejtësia. Kur sot u zgjova nga gjumi dhe dola në terasë, para shtëpisë sime nuk dukej kisha…E pashë krejt zonën Kornjeviq-Polje dhe m’u duk se e pashë krejt botën”.
Orloviq ka thënë se tashti pas rrëzimit të kishës, në vendin ku ishte “shenjtorja” do të mbjellë lule.
“Kur të bëhen lulet, dhe kur të jetë dita e mirë, do të dal aty dhe do të pi kafe. Le ta shohim të gjithë se si po kënaqem duke e shijuar drejtësinë”, ka thënë ajo.