Në Spitalin e Burgut të Dubravës të premten ka vdekur një i burgosur i cili kishte qenë duke e vuajtur dënimin në këtë qendër.
Viktima është Rexhep (Beqir) Spahiu, i lindur me 1937 nga fshati Kosterc të komunës së Skenderajt.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj tha për Insajderin se Spahiu ka qenë duke e vuajtur dënimin prej 40 vitesh për vrasje të rëndë. Ai ka qenë i arrestuar që nga viti 2002, shkruan Insajderi.
“Rexhep ( Beqir ) Spahiu i vendosur në stacionarin e burgut nën perkujdesje shendetsore, ka vdekur në ora 05:55, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor”.
Zogaj tha se i ndjeri ka qenë në përkujdesje të stafit mjeksorë të Dubravës, por herë pas here ka shkuar edhe në spitalin regjional të Pejës edhe në QKUK.
“Përkujdesja ka qenë maksimale por edhe mosha edhe problemet kardiake dhe të diabetit mund të kenë ndikuar në vdekjen e tij. Mund të them se e konsiderojmë vdekje të rëndomt por gjithsesi presim raportin e obduksionit”.
Lajmin e ka bërë të ditur edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, përmes së cilit njofton se trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti i vdekjes po hetohet.