Pas miratimit nga Qeveria e Kosovës të koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, tashmë është duke u punuar intensivisht në projektligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme të zyrtarëve publikë.
Kështu ka njoftuar Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Është formuar grupi punues dhe është duke u punuar për këtë projektligj. Ne tashmë e kemi draftin e parë dhe është veç draft i parë. Nuk e di nëse u është dërguar ende anëtarëve të Këshillit të gjerë por do t’u dërgohet shumë shpejt”, ka thënë ai.
Kurse zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit, vlerësojnë se Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, në rast se shndërrohet në ligj, do t’i ndihmonte shumë luftës kundër korrupsionit, sidomos të atij të nivelit të lartë.
Tashmë ligji për konfiskimin e pasurisë po përkrahet nga shumë kush në Kosovë.
Ky ligj i përshpejtuar nga Qeveria Kurti, po vlerësohet jashtëzakonisht i mirë, në mënyrë që, të fillojnë hetimet për zyrtarët dhe gjithë ata që janë pasuruar në mënyrë jo të ligjshme.
“Ky ligj kjo nguti e qeverisë Kurti është e ardhur si tepër e domosdoshme, por mbase edhe shumë e vonuar, pasi që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës është dashur të miratohet ky ligj, duke e ditur se sa është e përhapur dukuria e korrupsionit që kryekëput lidhet me politikën dhe me pushtetarët”, kështu shprehet Naim Miftari, ish-epror i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut.
Ai thotë se, ligji për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme është shumë i mirë, edhe pse është i vonuar, por implementimi i këtij ligjit nuk beson që do të zbatohet nga drejtësia.
“Pra, unë mendon se implementimi i këtij ligji nuk do të zbatohet nga prokurorët, hetuesit, gjyqtarët e Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Ramush Haradinajt, sepse Kosova ka nevojë për VETTING të përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës”, thekson ai.
Miftari shton se ligjet kanë qenë gjithmonë të mira, por nuk ka pasur guxim për zbatim.
“Edhe deri më tani ligjet kanë qenë të mira, edhe më parë, por nuk ka guxuar askush ti zbaton ato, sidomos kur kanë qenë në pyetje politikanët e korruptuar dhe oligarkët, sepse gjyqtarët dhe prokurorët kanë qenë vetëm kukulla shërbyese të këtyre politikanëve dhe oligarkëve, siç e ka treguar edhe afera Pronto”, pohon ai.
Ai thotë se duhet të pastrohet Prokuroria, Gjyqësia, Policia dhe AKI…
“Tani për pa u pastruar Prokuroria, Gjyqësia, Policia, Inteligjenca, KGJK e KPK…dhe pa bërjen e një VETTING-u nuk ka shumë shpresë se do të goditet krimi i organizuar si duhet, sidomos oligarkët e politikanëve dhe ish pushtetarëve të Korruptuar të cilët në barrë të popullit nga korrupsioni dhe grabitja e pasurive kombëtare janë pasuruar aq shumë sa që as vetë nuk mundë ta dinë sa janë të pasur sot”, pohon ai.
Në fund, sipas tij, politikanët dhe oligarkët kanë privatizuar Kosovën.
“Faktikisht oligarkët dhe politikanët e korruptuar e kanë privatizuar Kosovën dhe shtetin tonë e kanë bërë pronë private të tyre duke qëndruar nonstop të mbrojtur nga strukturat, kukullat e tyre që i kanë instaluar vetë në Prokurori, Polici, Gjyqësi, Inteligjencë”, përfundon Naim Miftari.