Në Klinikën Emergjente në QKUK nuk është duke u trajtuar asnjë pacientë me simptoma të helmimit në Deçan.
Drejtori i Klinikës Emergjente Basri Lenjani, në një prononcim ka konfirmuar se nga kjo komunë nuk janë duke trajtuar asnjë rast.
Ndonëse u tha se shkaktar i helmimit të mbi 800 qytetarëve mund të jetë uji i pijes, Lenjani thotë se ndonëse u mbetet organeve përgjegjëse të japin versionin zyrtar, produktet e mishit mund të shkaktojnë probleme të tilla.
“Zakonisht IKShPK-ja dhe Klinika Infektive janë përgjegjës për të dhënë atë versionin zyrtar se si ka ardhur deri te helmimi i këtyre personave në komunën e Deçanit. Në bazë të dhënave është konstatuar se ka ndodhur gjoja se nga përdorimi i ujit”.
“IKShPK-ja del me version zyrtar dhe nuk mund të jetë shkaktar uji, por mbetet që organet përgjegjëse ta hulumtojnë burimin e infeksionit. Se zakonisht gjatë stinëve të verës nuk mund të jetë vetëm sigurimi i ujit, por edhe produktet e mishit si sugjuku, sallamet e ndryshme që mund të jetojnë dhe shkaktojnë probleme të tilla”.
“Në klinikë nuk kemi pasur person të tillë. Zakonisht këta të sëmurë nëse kishin ardhur në Klinikë Emergjente trajtimin do ta kishin në Klinikë Infektive”.
Përderisa mbi 400 pacientë janë duke u trajtuar nga Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan për shkak të simptomave të helmimit.
Kurse kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka bërë të ditur se në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Parandalimin dhe Sëmundjeve Ngjitëse të Statutit të komunës së Deçanit ka marrë vendim që të shpallet gjendje emergjente në tërë territorin e kësaj komune, shkruan EO.
Me anë të këtij vendimi obligohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për Ngritjen e Gatishmërisë për Menaxhimin e kësaj situate Emergjente e ndodhur pas helmimit të fundit.