Sinjale të mira nga Brukseli/ Vuçiqi po e ‘fundosë’ Serbinë, Kurti po e forcon Kosovën

Gjatë ditës së djeshme, në Bruksel u zhvillua takimi i dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Edhe ashtu siç pritej, takimi nuk prodhoi ndonjë konsensus, pasi presidenti Vuçiq nuk u shpreh i gatshëm për marrëveshje dhe bisedime të mirëfillta me kryeministrin Kurti.

Pas përfundimit të takimit, Vuçiq nuk i kurse deklaratat arrogante ndaj Albin Kurtit.

E këtë takim e komentoi analisti politik, Gani Qarri. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se shkaku i qëndrimeve tendencioze të presidentit serb, bisedimet përfunduan pa ndonjë rezultat.

Image

Analisti politik, Gani Qarri
“Ditën e hënë, në Bruksel, siç u raportua edhe mediat vendore dhe ato ndërkombëtare, u zhvillua edhe takimi i dytë në mes të kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë e ish ministrit për informata të Sllobodan Millosheviqit, kriminelit Aleksandër Vuçiq, i cili ashtu siç pritej, për shkak të kapriçiozitetit dhe qëndrimeve tendencioze të Vuçiqit, përfundoi pa rezultat, përveç pajtimit për vazhdimin e negociatave, muajt e ardhshëm”, deklaroi Qarri.

Madje, analisti kërkoi që në takimin e ardhshëm në mes Kurtit dhe Vuçiqit, temë kryesor të jetë zbardhja e fatit të mijëra të rinjve të kidnapuar shqiptar dhe shpjegimi se çfarë ndodhi me organet e tyre njerëzore në Serbi.

“Pika me prioritet parësor e cila medoemos duhet të trajtohet në takimin e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë zbardhja e fatit të mijëra të rinjve të kidnapuar shqiptar dhe shpjegimi se çfarë ndodhi me organet e tyre njerëzore në Serbi, ngase Serbia, përveç ndonjë përjashtimi të kufizuar, pothuajse të gjithë i ka marrë të gjallë, por asnjëherë, tash e gati 23 vite me radhë, kurrë nuk ka dhënë asnjë sqarim për ta, duke i mbajtur peng edhe trupat e tyre në Serbi, gjë që shton dyshimet edhe më shumë”, theksoi ai.

Në vazhdim, Qarri përmendi edhe refuzimin e dokumentit për “Ballafaqimin e Serbisë me të kaluarën” nga ana e Vuçiqit, duke thënë se kjo po e vërteton se Serbia nuk është e interesuar për paqe dhe marrëveshje me Kosovën

“Madje kundërshtim cinik i paragrafit të vetëm të propozuar nga kryeministri Kurti dhe të miratuar edhe nga z.Josep Borell, për “Ballafaqimin e Serbisë me të kaluarën”, nga krimineli Aleksandër Vuçiq, ballafaqim i domosdoshëm ky, pa të cilin nuk mund të zgjidhen as problemet ekzistuese, e sidomos kidnapimi i mijëra të rinjve nga Kosova, sqarimi i mënyrës së vrasjes dhe fati i organeve njerëzore të tyre, me të cilat përveç, sistemit shtetëror të Serbisë, askush në botë, nuk e di çfarë ka ndodhë, dëshmon hapur se Serbia as që është e interesuar për paqe as marrëveshje me Kosovën, se lëre më ta bëjë njohjen e pavarësisë, të cilën Vuçiq, e kundërshton publikisht”, nënvizoi analisti.

Mirëpo, sinjal të mirë nga ky takim, Qarri e vlerëson miratimin e dokumentit të propozuar nga Kosova, “Ballafaqimi i Serbisë me të kaluarën” nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se tani më Serbia do të detyrohet të përballet me të kaluarën e saj, pasi tani Vuçiq nuk e ka përballë Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Ramush Haradinajn apo Avdullah Hotin.

“Sinjal mjaft i mirë i këtij takimi ishte fakti parimor se çështja e “Ballafaqimit të Serbisë me të kaluarën”, e propozuar nga Kosova, u miratua edhe nga vet BE, ndaj kjo shkaktoi edhe pezmin dhe shqetësimin kryesor të Aleksandër Vuçiqit, i cili edhe para mediave serbe deklaroi, se duket që Serbia do të jetë e detyruar, ta shqyrtojë të kaluarën e saj, në raport me shqiptarët dhe “pretendimet” e tyre, të cilat, për dhjetë vite me radhë të bisedimeve me Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Ramush Haradinajn dhe Avdullah Hotin, siç u shpreh vet Vuçiq, asnjëri prej tyre, kurrë dhe asnjëherë, nuk ia kishte përmendur as kërkuar nga ai”, potencoi Qarri.

Tutje, analisti mospranimi i kërkesës parimore të kryeministrit Kurti, nga ana e Vuçiqit, e ka favorizuar edhe më tepër Kosovën në sytë e Bashkimit Evropian dhe dërmuar palën serbe në bisedime.

“Për aq më tepër, mospranimi nga Vuçiqi, i kërkesës parimore nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti për nënshkrimin nën ombrellën e Bashkimit Evropian, të një “Pakti për Mos-sulmim” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku Serbia me nënshkrimin e saj, do të zotohej se nuk do ta sulmonte Kosovën dhe anasjelltas, ka favorizuar edhe më tepër Kosovën në sytë e Bashkimit Evropian dhe dërmuar palën serbe në bisedime, për shkakun e thjeshtë se edhe vet BE, thekson pareshtur që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërmjetësohet nga BE, për arritjen e një marrëveshjes gjithëpërfshirëse që nënkupton krijimin e paqes e të sigurisë në rajon”, u shpreh ai.

Krejt në fund, Qarri tha se Serbia me qëndrimet dhe veprimet e saj po bie bie në kundërshtim të hapur dhe të drejtpërdrejtë edhe me vet parimet e BE-së, ku me qëndrime të tilla ajo vetëm sa po e forcon pozitën e Kosovës në bisedime.

“Kështu që, Serbia duke refuzuar në prani të ndërmjetësuesve të BE-së, “Paktin për Paqe” me Kosovën si dhe mos-pranuar Ballafaqimin me të kaluarën e saj kriminale, ajo bie në kundërshtim të hapur dhe të drejtpërdrejtë edhe me vet parimet e BE-së, si dhe të çfarëdo përpjekje për paqe, duke ia humbur kuptimin edhe dialogut ndërmjet të dy shteteve, me ç ‘rast ngrit dhe forcon pozitat e saj Kosova në këto negociata, pozicion të cilin Qeveria e re, duhet të bëjë gjithçka që ta ruaj e avancoi edhe më tepër me fakte dhe argumente shtesë në të ardhmen, të cilat Kosova i ka të bollshme dhe kudo gjetshme”, përmbylli Gani Qarri, përcjell “Bota sot”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme