Deputeti nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj ka folur rreth ndërtimit të murit në veri të Mitrovicës, ku e ka akuzuar ministren për Dialog, Edita Tahirin.
Haradinaj theksoi se ministrja për Dialog Edita Tahiri i shkroi kryeministrit Isa Mustafa, pas kërkesave për rrënimin e murit të ndërtuar mbi urën Iber, që ndanë Mitrovicën Jugore me atë të Veriut.
Ai ka thënë se në mesazhin e Tahirit drejt Mustafës, Tahiri ka kërkuar nga kryeministri që presioni për rrënim të murit në Mitrovicë të hiqet nga ajo, sepse sipas saj përgjegjësinë e ka ministri i MMPH Ferat Shala.
“Zotëri kryeministër, Unë nuk po ia konfirmoj konkluzionet Brukselit edhe pse që nga dje po më bëjnë presion që duan të heqin murin, por kjo është përgjegjësi e ministrit Ferati”, ishte teksti që lexoi Haradinaj.
Me këtë rast Haradinaj ka theksuar se Tahiri do të duhej të shkonte menjëherë në shtëpi dhe pastaj të përgjigjej para ligjit.
“Edita Tahiri duhet të shkojë menjëherë në shtëpi. A e mbron ajo Serbinë a kë dreqin e mbron ec e dije”, ka thënë Haradinaj.