Procesi i demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi është çështje bilaterale. Kosova është shtet sovran; ju vendosni për veten tuaj. Por unë besoj fuqishëm që vendimi juaj duhet të merret në bazë të fakteve. Kufinjtë e Kosovës janë të përcaktuar në Planin e Ahtisaarit, bazuar në kufinjtë e vjetër të Kosovës. Ajo ka qenë baza për pavarësinë e Kosovës, dhe njohjen e saj, si nga Mbretëria e Bashkuar ashtu dhe nga partnerët më të qëndrueshëm ndërkombëtarë, në ditën e nesërme. Asgjë nuk ka ndryshuar që nga ajo ditë historike.
Është ide e mirë të mbahet diskutim publik sot, në mënyrë që deputetët dhe qytetarët të informohen në detaje, dhe realisht, mbi këtë proces. Unë e mirëpres këtë iniciativë. Një qytetari e mirë-informuar dhe një Parlament i fuqizuar janë themelet e demokracisë.
Si mik i Kosovës, unë kam disa këshilla. Ndoshta unë jam idealist, mirëpo unë besoj që vendimet politike duhet të merren në bazë të fakteve, jo në bazë të thashethemeve, propagandës, ose asaj që ju dëshironi të jetë e vërtetë. Nacionalizmi mund të jetë joshës, posaçërisht atëherë kur ndjejmë se kombi po rrezikohet dhe ne duhet t’a mbrojmë atë. Problemi është që edhe nëse nuk ka rrezik, nacionalizmi gjithmonë e krijon një, ose armiqë nga jashtë ose nga brenda. Ju e dini këtë, ashtu si e di edhe unë; ne të gjithë e kemi parë këtë shumë herë. Por në realitet, Kosova ka shumë miq. Partnerët e Kosovës dëshirojnë t’a shohin Kosovën duke arritur sukses si një shtet sovran, me besim në vete dhe në marrëdhëniet me fqinjtë dhe partnerët e saj: interesi juaj është interesi ynë. Ne nuk jemi duke ju imponuar juve asgjë: dhe padyshim nuk jemi duke kërkuar nga Kosova që të falë territorin e saj.
Vendimi i Kosovës në lidhje me kufirin do të thotë shumë, për besimin e Kosovës në miqtë e saj; për rolin e fakteve në debatin politik dhe në vendimmarrjen e Kosovës; për marrëdhëniet e Kosovës me fqinjtë, të cilët e kanë njohur pavarësinë tuaj atëherë kur ka qenë e vështirë për t’a njohur. Ky është një vendim i rëndësishëm. Dhe ju duhet t’a merrni këtë vendim vetë.