Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nderohet me çmimin “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti i Ekonomisë dhe Teknologjisë (ETU) të Unionit të Dhomave dhe Bursave të Turqisë (TOBB), raporton Anadolu Agency.
Kryetari i TOBB dhe njëherësh Kryetari i Bordit të Administruesve të Besuar të TOBB ETU Rifat Hisarciklioglu, në fjalimin të cilin e bëri në ceremoni i faleminderoi Kosovës për mbështetjen të dhënë Turqisë pas grusht shtetit të Organizatës Terroriste FETO.
“Gjithmonë do ta kujtojmë se zotëri presidenti Thaçi mori pjesë pranë qeverisë së zgjedhur dhe demokracisë kundër puçistëve”, tha Hisarciklioglu.
Ai më tej duke theksuar se Universiteti TOBB ETU është ndër më të rinjtë në vend dhe se në universitetet e Turqisë studiojnë një numër i madh i të rinjve nga Kosova, i bëri thirrje kosovarëve të rinj që të studiojnë në Universitetin TOBB ETU.
Hisarciklioglu duke theksuar se ndjekin nga afër zhvillimet ekonomike në Kosovë, u shpreh:
“Kompanitë turke të cilat veprojnë në Kosovë mundësojnë punësim për rreth 10 mijë persona. Në investimet e huaja direkte në Kosovë, Turqia me shumë prej 341 milionë euro është vendi investitor i tretë pas Gjermanisë dhe Zvicrës. Vëllimi i projekteve të cilat janë ndërmarrë nga kontraktuesit turq në Kosovë arriti në 1.4 miliardë euro. Në Kosovë përveç projekteve infrastrukturore siç janë ndërtimi i aeroportit, ndërtimi i autostradave, shpërndarja e energjisë elektrike gjenden investime turke edhe në sektorin e bankave, të shëndetësisë, ushqimit dhe shumë sektorëve të tjerë. Ndihemi krenar që jemi duke kontribuar në zhvillimin e Kosovës dhe punojmë që ta avancojmë këtë”.
Hisarciklioglu potencoi se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe BE e cila hyri në fuqi në muajin prill është një hap shumë i rëndësishëm dhe se me këtë marrëveshje produktet me origjinë nga Kosova gjejnë mundësinë që të hyjnë në tregjet e BE-së pa doganë. “Besoj se në Kosovë, e cila ka fituar një mjedis tërheqës për investime do të investojnë dhe më shumë kompani turke dhe i bëj thirrje kompanive tona që të investojnë dhe të krijojnë partneritetet në Kosovë”, tha ai.
“Nga ana tjetër, për të rritur vëllimin e tregtisë dhe investimeve mes nesh, besojmë se miratimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë e cila u nënshkrua mes Turqisë dhe Kosovës është e rëndësishme. Për shkak se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë nuk u miratua nga ana e qeverisë së Kosovës, kompanitë turke janë duke përjetuar disavantazhe konkurruese kundrejt kompanive të Serbisë dhe Greqisë të cilat posedojnë avantazhe të ngjashme”, tha Hisarciklioglu