Aksidenti i rëndë i autobusit pranë Slavonski Brod në Kroaci, nga i cili vdiqën 10 persona, tregoi edhe një herë rëndësinë e përdorimit të rripit të sigurimit.
Shefi i Shërbimit të Sigurisë në Trafik nga Ministria e Brendshme kroate, Josip Mataija, tha se një pjesë e udhëtarëve ranë nga autobusi sepse ata nuk ishin të lidhur. Autobusi i përfshirë në aksident është i prodhimit më të ri dhe të gjitha ulëset ishin të pajisura me rripa sigurie, raporton portali kroat, Telegram.
‘Të gjithë ata që nuk u lidhën dhe nuk u lënduan nuk do të kenë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim, as familjet e të vdekurve që nuk ishin lidhur’, thotë Matija.
Mediumi kroat, Jutarnji list e ka siguruar jozyrtarisht deklaratën në Polici të shoferit nga Kosova i cili dyshohet se e shkaktoi aksidentin e tmerrshëm në Slavonski Brod të Kroacisë, nga i cili vdiqën dhjetë persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.
Ky medium raportoi se ka gjetur një deklaratë për Policinë, e cila nuk është dëshmi në procedurë, ku shoferi D. L. (52 vjeç) nuk kishte thënë asnjëherë se e kishte marrë gjumi, por kishte deklaruar se diçka e kishte shqetësuar gjatë vozitjes, pas së cilës autobusi doli fatalisht nga autostrata.
Vetëm pasi të jetë lexuar tahografi do të jetë e mundur të përcaktohet nëse shoferi i autobusit të tragjedisë ishte në përputhje me të gjitha rregullat e punës së tij.
Sidoqoftë, një dëshmitare, e cila u mor në pyetje në Slavonski Brod të martën gjatë hetimeve emergjente, tha në dëshminë e saj se dy shoferët kishin vozitur në linjën Frankfurt-Prishtinë për të paktën 15 vjet.