Përplasja Kim-Berisha/ Çfarë përmban projekti i Soros që provokoi konfliktin për reformën në drejtësi

Shumëkush mendoi se Sali Berisha do të bënte hapa pas, kur SHBA e shpalli non grata. Por denoncimet e “qytetarit dixhital” vazhduan me të njëjtat ritme, madje ndalen as kur prekin ambasadën amerikane. I tillë ishte ai për një projekt të financuar nga ambasada për zgjidhjen e ngërçit që krijoi reforma në drejtësi në Gjykatën e Lartë, ku ishte i përfshirë një institut i financuar edhe nga Soros.

Në statusin e datës 28 Korrik, Berisha e quajti të dyshimtë marrëveshjen e ambasadës amerikane me East-West Institute, pjesë e të cilit është Delina Fico ish bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama dhe bashkëshortja aktuale e Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.

Nuk kaluan as 48 orë dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim u shfaq në selinë e Partisë Demokratike. Ajo i vendosi ultimatum Lulzim Bashës duke kërkuar publikisht largimin e Berishës nga PD. Shprehja se “një parti nuk duhet të hajë bar” për hir të një njeriu, ishte jashtë shinave të diplomacisë. Në përgjigjen e tij, Berisha la të kuptohej se reagimi nervoz i ambasadores mund të ishte motivuar nga denoncimi që ai i bëri projektit të përbashkët mes ambasadës dhe institutit East-West.

“Nuk e di nese takimi i sotem i Zj ambasadore Kim ka ndonje nxitje nga denoncimi im i marreveshjes se dyshimte qe u njoftua se u arrit ne prani dhe me nxitjen tuaj midis Kryetares se KLGJ, Llagami dhe Instututi East ëest qe sipas burimeve amerikane drejtohet nga Delina Fico. Duke ju kerkuar mundesisht te beni transparente kete marreveshje ju siguroj se sikunder deri sot do te denoncoj çdo afere te dyshimte nga cilido dhe pa asnje hezitim” shkruajti Berisha.

Nisma që synon të ndihmojë Gjykatën e Lartë është publike

Emri i Delina Ficos është pjesë e stafit të zyrës qëndrore të Institutit, si Drejtore e Programeve të Shoqërisë Civile, pra lidhja që bën ish kryeministri Sali Berisha nuk ka asgjë të paqenë. (Kliko ketu)

Në anën tjetër ambasada amerikane e ka promovuar marrëveshjen e Institutit East-West Managment me Gjykatën e Lartë në rrjetet sociale. Në datën 13 Korrik Ben Rockwell, Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Drogës dhe Zbatimit të Ligjit, u takua me Kryetarin në Detyrë të Gjykatës së Lartë, Gjyqtarin Sokol Sadushi për të biseduar mbi këtë projekt. Ai synon të nxisë gjykimin e dosjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë, që janë disa dhjetëra mijëra të mbetura stok.

Por si do të përshpejtohet gjykimi i dosjeve të prapambetura?

Juristët e përzgjedhur nga Instituti East-West do të ofrojnë ndihmën e tyre për çështjet e prapambetura në Gjykatën e Lartë. Bëhet fjalë për më shumë se 35 mijë dosje të mbetura pezull, një ngarkesë e papërballueshme për 10 gjykatësit aktualë. Një burim pranë Gjykatës së Lartë tha për Lapsi.al se projekti parashikon që dhjetëra mijëra dosje gjyqësore të prapambetura, të studiohen, të analizohen dhe për to të arrihet një përfundim paraprak i hartuar në një material të përmbledhur nga juristët e Institutit East-West.

Më pas, materiali i përmbledhur me sugjerime do t’u dorëzohet gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Do të jenë gjykatësit do të marrin vendimin përfundimtar, bazuar në materialin e përmbledhur që do t’i përgatisin juristët që asistojnë si pjesë e Institutit East-West. Reduktohet në këtë mënyrë koha e nevojshme që një gjykatës të marrë vendim për një çështje.

Pikëpyetjet mbi projektin që “ndihmon” Gjykatën e Lartë

Ish-kryeministri Sali Berisha ngriti pikëpyetje të forta për projektin në fjalë, pasi sipas tij Delina Fico u përzgjodh sepse Naureda Llagami e Këshillit të Lartë Gjyqësor e kishte më të lehtë të ndante paratë me të. Po ashtu, Berisha iu drejtua edhe ambasadores amerikane në status, kur shkruante se “nuk besoj se parate e takspaguesve amerikan duhet te shpenzohen per projekte te grave te ministrave te nje qeverie nder me te korruptuarat e planetit”.

Në fakt, projekti krijon ngritjen e një strukturë paralele në Gjykatën e Lartë që ngre pikëpyetje të forta mbi vendimmarrjen e proceseve gjyqësore që kanë mbetur pezull. Duke mos qenë vetë gjykatës, juristët e Institutit East-West janë më të ekspozuar ndaj palëve të interesuara, të cilët presin prej vitesh për një vendim nga Gjykata e Lartë. Në anën tjetër, vetë ekzistenca e kësaj strukturë paralele brenda në Gjykatën e Lartë, është një arnim që i bëhet sistemit të ngritur nga Reforma në Drejtësi.

Në këtë kuptim, nisma e projektit në vetvete reflekton dështimin e reformës, të paktën përkundrejt bllokimit disavjeçar të Gjykatës së Lartë, një institucion që u paralizua për disa vjet.

Pikërisht kur goditi këtë pikë të dobët të sistemit, që “arnohet” përmes institutit të financuar nga Soros, Berisha ngacmoi fushatën propagandistike të ambasadorëve, që nuk lejojnë të vihet në diskutim suksesi i reformës në drejtësi. Dhe për këtë mori si përgjigje, para kohës së planifikuar, sulmin e beftë të ambasadores amerikane nga selia e PD-së./©Lapsi.al

 

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme