Nga Kim Mehmeti
Edhe Maqedonia, edhe Bullgaria, e shënuan të njëjtën Kryengritje të Ilindenit, me të njëjtit heronj, por me shpjegimet të ndryshme rreth rëndësisë dhe qëllimeve të saj. Sipas historianëve shqiptarë e bullgarë, me 2 gusht 1903, pas çlirimit të qytetit, është themeluar Kuvendi i Republikës së Krushevës, i përbërë nga 20 revolucionarë bullgarë dhe nga po aq shqiptarë dhe, nga po aq vlleh. Por, sipas historianëve të Shkupit të sotëm, Ilindeni i vitit 1903, shënon ditën kur u ngjizë Maqedonia e sotme e pavarur, si shtet i vetëm i popullit maqedonas.
Por sidoqoftë, kremtja e sivjetme e Ilindenit te Shkëmbi i Ariut në Krushevë, u begatua me një këng popullore shqiptare dhe me prezencën e kryetarit të BDI-së. Me çka u pa qartë se Maqedonia e sotme demokratike, ndërtohet sipas formulave komuniste të ish Jugosllavisë, apo se ajo qëndron mbi shpinën e elitave të vëllazëruara partiake, të cilave u këndon populli si dhe, mbi shpatullat e ‘popujve e popullsive’ të ndarë në baza etnike, e të cilët vallëzojnë ashtu siç rrahin daullet partiake. E me çka ke përshtypjen se ky vend është katandisur udhës të arrijë thuajse po aty ku erdhi Jugosllavia e Titos: të shndërrohet në ‘lëvozhgë’ që ka kush ia garanton kufijtë e jashtëm (NATO-ja), por të cilën nuk ka kush e ndjen dhe pranon për shtet të vetin nga brenda.
Kremtja e sivjetme te Shkëmbi i Ariut, e bëri më të dukshme edhe të vërtetën se, sa më shumë kryetari i BDI-së vëllazërohet me partitë maqedonase që vijnë e shkojnë nga pushteti, aq më shumë Maqedonia i aborton vlerat e pakta të përbashkëta që ka, si për shembull shkrimtarët, gazetarët, këngëtarët… dygjuhësor, e të cilët kryesisht janë shqiptarë, sepse dihet, shumica e maqedonasve rriten e plaken me bindje se për ta është e ‘turpshme’ ta mësojnë gjuhën shqipe apo atë të ‘tatarëve bullgarë’, se ata mund të shkruajnë e këndojnë vetëm në gjuhën që mbase i bënë të ndjehen mburrshëm, që ndoshta i ndihmon ta forcojnë identitetin etnik, në gjuhën e ‘vëllait më të madh’ – në atë serbe.
Po pra, edhe në kremten e sivjetme të Ilindenit në Krushevë, u pa se Maqedonia ecë drejtë Brukselit, por se nuk ka arritur më larg se në Beograd. Dhe duke u bërë pjesë e ‘Botës Serbe’, e jo e BE-së, Maqedonia e shpalosi të vërtetën se drejtohet nga pushtetarë shqiptarë e maqedonas, të cilët i bashkon tenderokracia, këngët e Cecës së Arkanit, me të cilët ata fshehurazi dehen si dhe, ‘minishengeni’ i Vuçiqit, i cili projekt prej moti do shpalosej e do shihej se është pjesë e ‘Srbosllavisë’, sikur atë të mos e mbulonte ‘vëllai’ i Presidentit serb – Kryeministri i Shqipërisë.
Maqedonia pra ka vite që është duke ecur drejtë BE-së, që më në fund të bëhet pjesë e ‘Botës serbe’. Dhe në ndërkohë, te një pjesë e elitave maqedonase, të vazhdojë të mbisundojë mendësisë që buron nga moskuptimi i të vërtetës se ekzistenca e një përkatësia etnike nuk varet nga ajo sa atë e pranojnë të tjerët, por sa ajo etni arrinë që paraardhësit e vet të mos i ndryshojë sezonalisht. Si edhe sa ajo e kupton se askush nuk mu të ta mohoj e dëmtojë gjuhën amtare, sa personalitet tua publike që flasin ‘serbo-maqedonisht’, të cilët për ta larguar gjuhën maqedonase sa më shumë nga ajo bullgare, janë të gatshëm që në një fjali dhjetë fjalësh, të vendosin tetë serbizma.
Dhe nuk ka dyshim se Maqedonia duhet të bashkëpunojë me gjithë fqinjët e saj. Por është perverse dhe irracional që ai bashkëpunim të ndërmjetësohet nga heronj si Ceca e Vuçiqi, heronj të ardhur nga terri i së djeshmes, nga ata që e ndihmuan dhe projektuan gjakderdhjen e fundit të Ballkanit, nga heronjtë të cilët i lindi koha e Millosheviqit. Pra Maqedonia duhet të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, por paraprakisht duke e prerë kërthizën që atë e lidh vetëm me Beogradin, edhe atë si parakusht për ta kuptuar se vetëm Lindja dhe Perëndimi i saj, pra se vetëm Shqipërie dhe Bullgaria, atë mund ta ndihmojnë që të jetë Vetvetja, në të Veten dhe me të Vetët!/ (Kim Mehmeti) sakte.net