Borxhi publik në Maqedoninë e Veriut ka arritur në shifrat më të larta të shënuara ndonjëherë, përkatësisht në 7.4 miliardë euro bazuar, thuhet në të dhënat për muajin qershor. Kjo do të thotë se borxhi arrin në 64.4 për qind të Bruto Prodhimit Vendor dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, ekziston rreziku i destabilizimit financiar, thotë Nikolla Popovski, profesor i ekonomisë dhe ish-ministër i Financave.
Sipas të dhënave zyrtare, brenda një viti e gjysmë borxhi është rritur për 1.5 miliard euro.
Kjo shumë i tejkalon edhe pritjet e qeverisë, e cila bazuar në strategjinë fiskale për menaxhimin e borxhit publik, parashikonte që vitin 2021 Maqedonia e Veriut ta mbyllte me një borxh publik prej 63.9 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Qeveria synon që deri në vitin 2026 këtë borxh ta stabilizojë përmes zvogëlimit të administratës publike dhe rritjes më të madhe ekonomike.
Borxhi publik përbëhet nga borxhet që ka shteti ndaj bankave, institucioneve tjera financiare, borxhet e ndërmarrjeve publike, komunave, kompanive në pronësi shtetërore, Bankës Popullore e subjekteve tjera.