Dibrës i rikthehet terrori, grabitje të dhunshme dhe tentim-vrasjeje

Qyteti kufitar i Dibrës në Maqedoninë e Veriut, sërish bëhet cak i grabitjeve të dhunshme dhe terrorizuese nga grupe të armatosura, kriminelë bashkëpunues prej dy anëve të kufirit, me kriminelë nga vetë Dibra dhe Peshkopia e Shqipërisë me rrethinë. Grupe të tilla, para dy ditësh, terrorizuan dhe grabitën një familje të ndershme dibrane, familje që gjithë jetës me djersë dhe ndershmëri kanë punuar për bukën dhe pasurinë e tyre.

Kjo bandë kriminale e maskuar, dhunoi fëmijët, bashkëshorten dhe kryefamiljarin e familjes duke ju shkaktuar terror psikologjik, lëndime të rënda trupore dhe tentim vrasjeje, gjuajtje me armë kallashnikov edhe brenda ambienteve të shtëpisë gjatë momenteve të grabitjes dhe përleshjes. Gjuajnë me armë zjarri, grabisin djersën e ballit dhe lëndojnë një familje të tërë në formën më brutale në mes të qytetit të Dibrës. Për të treguar forcën e tyre kriminale, grabitësit gjatë largimit, përsëri gjuajnë në mesin e lagjes, për të terrorizuar dhe frikësuar edhe banorët e tjerë të cilët të pafuqishëm ulërasin për ndihmë nga shtëpitë e tyre. E gjithë kjo skenë krimi ndodh në një shtëpi dhe lagje, jo më shumë se 2 km larg nga stacioni policor i Dibrës.

Këto akte brutale të konsumimit të veprës penale grabitje, terror psikik, lëndrime trupore, tentim për vrasje, vjedhje të pasurisë, edhe pse konsiderohen ndër veprat me dënime më të rënda penale, ato, kur kanë të bëjnë me qytetin kufitar të Dibrës, të banuar me shumicë shqiptare, në syrin e shtetit tonë, insitucioneve tona, kalojnë thuajse pa ngjallur shqetësim. Jo vetëm për gjetjen dhe vendosjen para drejtësisë së krimineleve, që nuk janë gjetuar në asnjë rast të vetëm të veprave të këtilla, por edhe të sensibilizimit të aktit të rëndë, si një ndër veprat më të rënda kriminale të shkaktuara nga dora e njeriut. Akte të cilat, po të ndodhnin në ndonjë qytet tjetër të vendit, veçanërisht ato me shumicë maqedonase, do të ishte bërë hataja duke ngritur gjithë shtetin në këmbë.

Jo vetëm institucionet shtetërore, por mjerisht as mediat, gazetarët lokalë, nuk raportojnë dhe sensibilizojnë për ngjarje të këtilla me përmasa dramatike. Vetëm shikojini lajmet këto dy ditë të shkuara, nuk ka asnjë raportim, nga asnjë media e shkruar apo jo, nga as edhe një gazetar i vetëm, të cilët mjerisht shkruajnë e raportojnë rëndom, vetëm kur ndonjë biznesmen apo politikan ju porosit shkrimet për të treguar përrallat e zakonshme.

Për raste të këtilla kriminale, në një qytet të vogël si Dibra, pushteti lokal duhet sa më shpejt të aktivizojë alarmin e parë institucioneve kompetente dhe me gjerë, partitë politike shqiptare, opozita, madje edhe Myftynia e Dibrës si udhëheqëse e jetës fetare, duhet të alarmojnë dhe sensibilizojnë mbi faktin se kjo çështje po bëhet një akt kriminal serik, që herët e vonë, dë të arrijë te pragu i gjithësecilit, ndoshta edhe me pasoja jetike.

Eshtë fakt dhe e potencojmë për të disatën herë se kapaciteti aktual i sigurisë policore dhe hetimi e gjetja e autorëve të krimeve të tilla në qytetin e Dibrës, prokuroria jo-efikase, e kanë të pamundur për tu përballur me kriminelë të kalibrave të tillë vrasës gjakftohtë. Andaj duhet një zgjidhje serioze për çështjen, hetime të vazhdueshme serioye për rastet e kaluara, prokurori efikase, postblloqe më të mëdha kufitare, kamera sigurie në rrugët kyçe të daljes nga qyteti në drejtim të kufirit, hetim dhe gjetje e bashkëpuntorëve kriminelë nga Dibra, si dhe bashkëpunimi me strukturat policore të qytetit të Peshkopisë me rrethinë. Një alternativë tjetër do të ishte edhe dërgimi i grupeve speciale të policisë për qytetin e Dibrës, si një nga qytetet, që nuk gabojmë të themi me i rrezikuari dhe më i dëmtuari nga grupet e kriminale të grabitjeve të tilla terrorizuese. Thjesht të merren masat e duhura të cilat kompetentët e dinë më së miri se ku dhe si. E jo të mbyllen dosjet, që krimi të hapë plagë të reja. Ndoshta ka bashkëpunëtor me krimin edhe nga strukturat policore të dy anëve të kufirit, gjë për të cilën duhen hetime. Gjithsesi, ne kishim një shembull para disa viteve se kur shteti bëhet më serioz, krime të tilla neutralizohen për një kohë të gjatë, siç ishte ardhje e grupit special “Alfa” në Dibër, të cilët ndiqnin kriminelët e këtillë, madje me autorizim edhe brenda territorit të Shqipërisë.

Nëse nuk ka sensibilizim dhe ndëshkim për krime të këtilla, nëse hetimet ndalen dhe nuk gjenden autorët e rasteve të kaluara, krimi inkurajohet për krime të ngjashme edhe në ditët e ardhshme apo të ardhmen e afërt. Siguria e një qyteti është primare për zinxhirin e të gjitha gjërave tjera të dobishme, si për jetën dhe pasurinë e banorëve të Dibrës, biznesit, mërgimtarëve, apo edhe investitorëve të huaj.

Kompetentët duhet të marrin përgjegjësi për këto akte, nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë me krime të tilla serike. Të sensibilizohet pushteti qëndror, strukturat e Ministrise së Punëve të Brendshme, apo në shenjë revolte, kompetentët kryesorë lokal, moralisht të lëshojnë detyrat e tyre sa herë të ndodhin ngjarje të tilla dhe të pazbardhura, deri në një zgjidhje përfundimtare. Ose ose nuk mbetet tjetër, në një kohë kur shteti nuk mund të zbatojë kontratën me qytetarët, kontratën e sigurisë së jetës dhe pronës se tyre, kontrata prishet, shteti bie, e qytetarët organizohen në forma tjera, vetëgjyqësi, organizime të armatosura lagjesh e vendbanimesh për të mbrojtur jetën dhe pasurinë e tyre.

Eshtë e vërtetë që ne jetojmë në një organizim shtetëror që nuk servison as dy helikopterë për shuarjen e zjarreve, ndërkohë shpenzon shuma të majme parash për makina luksoze zyrtare, por kjo sdo të thotë se duhet të heshtet, se nuk ka shpresë, se gjërat nuk mund të përmirësohen me një angazhim serioz, të sinqertë dhe të gjithanshëm.

Kur ujqërit sulmuan bagëtitë në kohën e udhëheqësit të drejtë, Omerit r.a, njerëzit kuptuan se ky burrështetas i drejtë, kishte ndruar jetë. Ata mbas sulmit të ujqërve, thanë: paska vdekë Omeri r.a !

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme