Pas sulmit terrorist në natën e Vitit të Ri në një klub nate në Stamboll, ku një person i armatosur vrau së paku 39 persona dhe plagosi 65 të tjerë, Turqisë i kanë mbërritur mesazhe mbështetjeje nga e gjithë bota.
Më poshtë vijojnë disa prej mesazheve më të rëndësishme:
* Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg: Mendimet e mia janë me popullin turk dhe me ata që janë të prekur nga ky sulm gjatë festimit të Vitit të Ri.
* Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini: Mendimet tona janë me viktimat dhe të afërmit e tyre.
* Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Marc Ayrault: Të gjitha zemrat tona janë me Turqinë, e cila ka përjetuar një goditje të rëndë në këtë natë simbolike.
* Presidenti amerikan Barack Obama: Keqardhje për humbjen e jetëve të të pafajshme dhe ngushëllime familjeve të viktimave.
* Ministri i Jashtëm i Kanadasë, Stephane Dion: Dënoj këtë sulm makabër dhe shpreh mbështetje për popullin turk.
* Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtar i Shtëpisë së Bardhë, Ned Price: SHBA dënon ashpër sulmin e frikshëm terrorist në Stamboll. Ne jemi bashkë me aleaten tonë Turqinë, e cila është anëtare e NATO-s.
Sulmi terrorist në një klub nate në Stamboll, në të cilën festohej Vitin e Ri, ka ndodhur në orën 01:15. Një sulmues i panjohur fillimisht vrau policin, i cili po qëndronte në hyrje të klubit, dhe më pas vrau edhe një person tjetër dhe hyri brenda, ku hapi zjarr në drejtim të të pranishmëve.
Sulmin ndërkaq e ka dënuar edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.
“E dënoj fuqishëm sulmin në Stamboll. Ngushëllimet më të thella popullit dhe qeverisë së Turqisë”, ka shkruar ai në Twitter.
Sipas disa të dhënave, në klub në kohën e sulmit ishin 700 të ftuar.