Muri i ngritur së fundmi afër urës së Ibrit në veri të Mitrovicës, ka përkeqësuar edhe njëherë raportet kështu ashtu të tensionuara mes shqiptarëve dhe serbëve. Megjithatë, për të parin e Qeverisë së Kosovës mbetet vetëm çështje ditësh se kur do të largohet ai mur nga aty.
Isa Mustafa, në një intervistë për KosovaPress, tha se me serbët në Bruksel asnjëherë nuk është biseduar për ndërtimin e mureve të reja.
“Është paraparë që të ketë dy rreth rrotullime edhe në pjesën jugore dhe në pjesën veriore të Mitrovicës dhe po ashtu marrëveshja parasheh që rruga e ‘Karl Petrit’ në veri të shndërrohet në rrugë të këmbësorëve. Asnjë element tjetër nuk ka të marrëveshjes e cila parasheh pengesa, parasheh barrikada, parasheh mure. Prandaj çdo veprim i tillë ka qenë veprim ilegal, sepse edhe në projektet të cilat i ka kërkuar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nga veriu do të thotë nuk ka asnjë projekt në të cilën shfaqet muri ose në të cilin është lejuar ndërtimi i murit. Prandaj në këtë aspekt ne konsiderojmë që është ndërtim ilegal. Është një objekt që është ndërtuar në mënyrë jo ligjore, ilegale për të cilin nuk mund të negociojmë me askënd, as me Serbinë as nuk e kemi mendjen të diskutojmë në Bruksel, sepse nuk mund ta bëjmë ne një veprim ilegal tani objekt të diskutimit. Ata munden çdo ditë të na ndërtojnë nga një mur dhe të themi ejani shkojmë në Bruksel dhe e diskutojmë këtë dhe me gjet arsye që Serbia tani po bën përpjekje me zgjidh çështjet ose kontekstet me Kosovën me dialog në Bruksel. Do të thotë ne mund të dialogojmë për çështje e kaluara, për ato që i kemi trashëguar, për asetet që po na i mbanë peng Serbia, edhe për strukturat paralele të cilat po veprojnë e të cilat duhet të hiqen ose zhbëhen, por këto tjerat nuk janë çështje të cilat ne do t’i diskutojmë. Ne e kemi bërë të qartë edhe Bashkimit Evropian edhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë se ata mbesin obligim që ta rrënojnë atë mur ta heqin ata që e kanë ndërtuar, ndërkaq nuk ka negociata për të”, tha Mustafa
Mustafa tha se e mira e së mirës do të ishte që vetë serbët ta heqin murin, përderisa janë ata vetë që kanë provokuar me ndërtimin e tij.
Megjithatë, kryeministri i Kosovës tha se nëse serbët nuk do ta bëjnë për një kohë të shkurtër, atëherë mbetet të respektohet dhe vihet në funksion vendimi i autoriteteve tona, që vijnë nga vlerësimi i inspektorëve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, që ai muri është ndërtuar në mënyrë ilegale dhe si i tillë duhet të hiqet.
Në pyetjen nëse qeverisja Mustafa po tregohet mjaft zemërgjerë me serbët, të cilët nuk janë pajtuar as në vitin e kaluar për ta votuar ushtrinë e ardhshme të Kosovës, kryeministri i vendit thotë se me patjetër u duhen votat e shumicës së serbëve në Kuvendin e Kosovës.
Nga ana tjetër, Isa Mustafa pranon se serbët që janë pjesë e koalicionit të tij qeverisës janë pa vullnet politik dhe sytë e veshët vazhdojnë t’i mbajnë nga Beogradi.
“Ndonjëherë lihet përshtypja në opinion se ne po i përkëdhelim serbët dhe tash për hatër të tyre po e pësojmë. Në të vërtetë nuk është për hatër të tyre, por është për mungesë të vullnetit të tyre që ata të votojnë. Ky është problemi, sepse ne duhet t’i kemi dy të treten e votave në Kuvend, që nënkupton se duhet të kemi 80 vota së paku. Sa i përket votave të shqiptarëve jam i bindur se në këtë aspekt nuk dallojnë fare dhe të gjithë deputetët shqiptarë do ta votojnë, nuk dyshoj fare, mirëpo është problem që duhet të kemi edhe dy te tretën e votave të minoriteteve ose të deputetëve jo shumicë, me u shpreh në mënyrë kushtetuese që nuk i kemi, sepse duhet të kemi së paku 14 vota, do të thotë 11 në Kuvend prej të 20 janë të listës serbe. Prandaj në këtë aspekt ne kemi bërë përpjekje deri tani të bisedojmë me Listën, të bisedojmë edhe me anëtarët e Qeverisë nga Lista Serbe që janë në Qeveri në mënyrë që t’i bindim që ata të votojnë. Kemi pasur disa takime disa biseda ju kemi dhënë gati të gjitha materialet dhe ndryshimet kushtetuese të cilat duhet të bëhen, sepse duhet të shkojnë ndryshimet kushtetuese ato i kërkojnë këto, po të mos ishin ndryshimet ne i kishim aprovuar si ligj në Kuvend sepse kemi vota të mjaftueshme. Por mund të konstatoj se nuk është fjala për vullnetin ose mos vullnetin e tyre, është fjala që qëndrimi i tyre në këtë aspekt akoma diktohet nga Serbia, nga Beogradi dhe pengohet. Do të bëjmë përpjekje t’i bindim, jo të punojmë për hatër të tyre por që t’i bindim që ata të votojnë. Përderisa mos ta votojnë ne nuk mund ta bëjmë transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur në mënyrë kushtetuese”, tha Mustafa.
Mustafa tha se sa i përket reformatimit të mundshëm të Qeverisë nuk ka asnjë lëvizje përveç diskutimeve të zakonshme mes partnerëve të koalicionit.
Ai tha se ide e tyre ka qenë që Qeveris e Kosovës të ketë shkurtim të ministrive në qeverisje, duke mundësuar funksionimin e disa ministrive në një, në mënyrë që të kemi më pak anëtarë në qeverisje.
Dhe kjo nuk do të sillte vetëm shkurtime të shpenzimeve, por edhe një funksionim më të mirë të dikastereve të ndryshme në ministritë që do të përcaktoheshin. Megjithatë, duke thënë se është duke u bërë një punë e mirë në qeverisje, Isa Mustafa tha se për kohëzgjatjen sa i mbetet kësaj qeverisje, është më mirë që të fokusohemi në realizimin e objektivave dhe krijimin e mundësive që këtë plan të ‘ngushtimit’ të Qeverisë ta bëjnë në mandatet e ardhshme.
Kryeministri foli edhe për çështje të tjera me rëndësi për qytetarët, përaturat e larta të energjisë elektrike dhe gjasat për ngritje të tyre me investimet në termocentralin e ri. Kryeministri Mustafa tha se po bënë përpjekje maksimale që qytetarët të mos ngarkohen me shpenzimet që vijnë të faturuara nga Rregullatori.
Ndërsa sa i përket ajrit të ndotur në rritje në rajonin e Prishtinës, kryeministri Mustafa tha se po bëjnë përpjekje që të ndërrojnë kriteret e importimit të automjeteve të vjetra dhe ndotëse, në mënyrë që të pakësohen rezultatet e ndotjes.
Mustafa tha se problem në këtë aspekt është edhe ngrohja që qytetarët shfrytëzojnë gjatë stinës së dimrit, që sjell pasoja në rritjen e treguesve të ajrit të ndotur në kryeqytet.
Raportet e Kosovës me vendet e Rajonit dhe më gjerë, i pari i Qeverisë së Kosovës i konsideron si të shëndosha.
Ai thotë se me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, është arritur që vendet e Rajonit të bashkëbisedojnë për të ardhmen e tyre në infrastrukturë, lehtësime tregtare, bashkëpunime ekonomike, etj.
Se Kosova ende ka nevojë për ndihmën e Amerikës, e thotë vet kryeministri Mustafa, i cili shpreson që me amerikanët do të ndihmojnë kosovarët në forcimin e shtetit ligjor, forcimin e institucioneve dhe në njohjet që i duhen vendit.
Ndërsa sa i përket presidentit të ri të Amerikës, Mustafa beson në thellim të bashkëpunimit me administratën e presidentit Trump, ani se ai deri tash nuk ka marrë ftesë në ditën e inaugurimit të presidentit të ri të SHBA-ve. /Telegrafi/