Kryeministri i Kosovës shpreh dhimbje dhe pikëllim për viktimat e sulmit në Stamboll
Sulmin e tmerrshëm terrorist që ndodhi në Stamboll në orët e para të vitit 2017, ku mbetën të vdekur 39 njerëz dhe mbi 70 të plagosur e ka dënuar ashpër edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Kryeministri ka shprehur dhimbjen e pikëllimin e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për viktimat, duke përcjellë ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, për Qeverinë turke dhe vendet tjera të prekura nga ky sulm.
Kryeministri Mustafa, përmes një komunikate për medie, ka thënë se këto akte dëshmojnë se terrorizmi po vazhdon të godasë pa mëshirë, duke mos zgjedhur mjete, me qëllim që të rrezikojë vlerat e botës demokratike.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar që të vazhdojë kontributin e saj maksimal në angazhimet e botës demokratike kundër çdo forme të terrorizmit, të cilat cenojnë vlerat tona të përbashkëta dhe vënë në rrezik jetën e njerëzve të pafajshëm”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Isa Mustafa./21Media