Dramatike/ Kaosi shoqëron përpjekjet e evakuimit në Kabul

Vendet perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, kanë evakuuar mijëra njerëz nga Kabuli, por procesi është kaotik. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Ayesha Tanzeem ishte e bllokuar në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit për ditë të tëra. Në këtë video -kronikë të xhiruar me celularin e saj, ajo shpjegon se tani vështirësia më e madhe për ata që duan të largohen nga Afganistani është hyrja brenda në aeroport.

Me telefonin e saj, gazetarja e Zërit të Amerikës Aisha Tanzem regjistron këto pamje dramatike, ndërsa njerëzit përpiqen të largohen nga Afganistani i kontrolluar nga talebanët. Radhët janë të gjata në aeroportin e Kabulit ndërsa çdo ditë shtohet numri i njerëzve që mblidhen aty. Hyrja në aeroport është një sprovë e madhe. Sarah Haidary është një prej të evakuuarve.

“Jemi në hall. Shihni rrobat dhe këmbët e mia. Jashtë rrethimit ka talebanë dhe amerikanë. U tregova të gjitha dokumentet e mia, por askujt nuk i interesonte. Pasi unë dhe nëna ime u rrëzuam, ushtarët amerikan na morën dhe na futën brenda”.

Ata janë të uritur dhe të etur, nga kalvari i tyre prej disa orësh e në disa raste edhe ditësh. Mes kaosit, të dashurit janë ndarë nga njëri -tjetri. Omaid Haidary shpreson të evakuohet.

“Jam këtu për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara. Vëllai im i vogël ka një problem me zemrën. Nuk do të shkoj askund pa të. Shpresoj që trupat amerikane të lejojnë familjen time të hyjë brenda”.

Mes turmës, fëmijët e vegjël duken si të pavëmendshëm rreth asaj që po përjetojnë familjet e tyre. Vendet perëndimore po përpiqen të evakuojnë afganët dhe familjet e atyre që punuan me ta. Por shumë prej tyre janë pa dokumente të përshtatshme, duke e bërë hyrjen në aeroport më të vështirë. Mohammad Kareem është një prej tyre.

“Familja ime ka mbetur jashtë. Nuk kam letra për të futur familjen time brenda. Po u kërkoj amerikanëve të më ndihmojnë të fus familjen time brenda. Kam punuar me amerikanët në misionin e Natos. Këto janë dokumentet që tregojnë se kam punuar me ta në Kabul dhe në Paktia.”

Të tjerët kanë mundur të futen brenda aeroportit, por nuk kanë pasaporta. E ardhmja e tyre është e pasigurt. Bilal është një prej tyre.

“Dua të shkoj në një vend të huaj por nuk kam pasaportë, vetëm kartën e identitetit. Çfarë duhet të bëj?”

Ndërsa familjet presin radhën e tyre për t’u larguar, fëmijët gjejnë mënyra për të kaluar kohën, ndërsa avionët fluturojnë sipër duke ofruar pak argëtim.

Çfarëdo kanë përjetuar, dhe sado të lodhur, të uritur dhe të etur që janë, këta njerëz të paktën kanë shpresën për të gjetur një fluturim jashtë Afganistanit. Pyetja që ata shtrojnë është se çfarë ndodhë me të dashurit e tyre të lënë pas.

VOA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme