Vuçiq: Qeshim me Ramën për komentet se pse shtetet e tjera nuk i bashkohen nismës sonë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e cilëson nismën “Ballkani i Hapur” një ide fantastike që do i shërbejë respektimit të fqinjëve. Në një intervistë, Vuçiç tha se me këtë nismë Ballkani mund të kthehet në një makineri të zhvillimit ekonomik dhe se që në fillim kjo ide është mbështetur nga SHBA-ja. Vuçiç u shpreh paksa skeptik në lidhje me shtetet europiane ku tha se ata kanë rezerva pasi “nuk qëndrojnë pas timonit”.

“’Ballkani i Hapur’ është një ide fantastike për Ballkanin, njerëzit kanë ëndërruar për një gjë të tillë për më shumë se një shekull e gjysmë. Disa kanë vuajtur si pasojë e një ideje të tillë. Ne s’kemi pse i shërbejmë askujt, ne duhet të respektojmë fqinjët tanë. Edi Rama dhe unë qeshim kur i dëgjojmë komentet e atyre se pse s’duan t’i bashkohen idesë së ‘Open Balkan’. Por, ne kurrë nuk do t’i ndjekim. Kush do, do, kush nuk do, nuk do. Amerika e ka përkrahur një projekt të tillë që nga fillimi dhe jam shumë mirënjohës. Derisa europianët kanë rezerva, sepse nuk qëndrojnë prapa timonit, ne mund të bëhemi makineri e zhvillimit ekonomik në BE”, tha Vuçiç.

Presidenti serb Vuçiç pati kritika për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk i bashkohet nismës “Ballkani i Hapur”. Vuçiç tha se në takimet që ka pasur me Kurtin nuk është e lehtë të flasësh, pasi ai s’dëshiron të diskutojë për asgjë.

“E shihni që dikush (Albin Kurti) nuk dëshiron të flasë për të ardhmen, sepse nuk është i interesuar për këtë. Nuk ka asnjë bisedë me Haradinajn, të cilin e kam parë në Berlin. Ai pastaj erdhi për ta shkatërruar atë. Në atë kohë ishte edhe Ana Brnabiç, përfaqësuese e qeverisë dhe pastaj ata i bindën Zvizdiæ dhe Haradinaj që të hiqnin dorë nga çdo ide që parashtronim”, theksoi Vuçiç.

Deri më tani vetëm 3 shtete janë pjesëmarrëse në këtë nismë, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Vuçiç pohon se së bashku me Ramën qeshin kur marrin komente pse vendet e tjera të rajonit nuk duan të hyjnë në këtë iniciativë.

Në iniciativën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kryeministri Rama, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, më 29 korrik 2021 nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohej në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. Rama, Vuçiç dhe Zaev i ftuan edhe njëherë vendet e tjera të rajonit që t’i bashkohen nismës, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme