“Rritja ekonomike për 4 për qind, nuk e ulë papunësinë e varfërinë”

Viti 2016 ka shënuar rritje të ekonomisë në Kosovë për 4 për qind, por njohësit e ekonomisë po e shohin këtë rritje me skepticizëm. Sipas tyre, rritja duhet të arrinte deri në 7 për qind, dhe duhej të fillohej me procesin e zbutjes së varfërisë dhe papunësisë.

Muhamet Mustafa, njëherësh deputet i LDK-së, ka thënë se rritja ekonomike për dallim nga vitet e tjera, në 2016-ën ka ardhur nga sektori privat. Kjo sipas tij, sepse investimet publike nuk kanë pasur rritje që nga viti 2015.

“Mendoj se marrë në përgjithësi, 2016-ta mund të vlerësohet relativisht vit i suksesshëm në aspektin e përshpejtimit të rritjes ekonomike, stabilitetit buxhetor në përmirësimin e klimës së biznesit dhe për krijimin e kushteve me disa ligje si Ligji për Trepçën, Ligji për Investimet Strategjike, Ligji për Fondin e garancive të kredive, Ligji për Interesin në vonesat në pagesa, e këto mund të krijojnë kushte për të fuqizuar investimet dhe rritjet ekonomike në vitet në vijim. Së pari kemi një stabilizim të rritjes ekonomike rreth 4% me tendenca të përmirësimit e që ka rendësi esenciale , sepse rritja ekonomike duhet  fuqizojë ritmin në rreth 7%. Duket se kontributi më i madh për dallim nga vitet e tjera po vie nga sektori privat, pasi që investimet publike nuk janë rritë në krahasim me 2015”, ka thënë ai për Indeksonline.

Mustafa ka folur rreth të hyrave doganore, që për 2016-ën kanë arritur deri mbi 1 miliardë euro. Kjo sipas tij mund të jetë rezultat i rritjes ekonomike, por edhe i evitimit të evazionit fiskal.

Ai ka thënë se zbatimi i Marëveshjes së Stabilizim Asociimit  ka bërë që një ndikim negativ të  përballohet me sukses.

“Rritja e të ardhurave doganore mund të jetë rezultat edhe i rritjes ekonomike por edhe i evitimit të evazioni t fiskal në këtë fushë e që ka rendësi për barazinë në treg. Në përgjithësi ky është një lajm  i mire aq më pare kur me pakon fiskale kemi pasur edhe disa lirime dhe favore doganore  sidomos pas zbatimit të MSA, pra është përballuar me sukses një ndikim negativ  i pritur nga MSA në të ardhurat buxhetore”, është shprehur Mustafa.

Sipas tij, Kosova është rreth 70 për qind të mesatares së nivelit të zhvillimit ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi që ka pasur përshpejtim të zhvillimit ekonomik në krahasim me vendet e tjera të rajonit, për këto dy vitet e fundit.

Mustafa ka thënë se në ritmin e rritjes ekonomike ndikon edhe atmosfera politike, andaj sipas tij, akterët politikë duhet të dalin nga qarku i luftës primitive për pushtet, pasi kjo e ulë dukshëm optimizmin e akterëve ekonomikë.

Ndryshe nga Mustafa, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, konsideron se situata ekonomike është e rëndë, ndonëse disa parametra kanë treguar për rritje.

Sipas tij, ulja e varfërisë dhe e papunësisë nuk mund të arrihet me një rritje prej 4 për qind.

“Situata ekonomike është e rende. Ndonëse disa parametra tregojnë rritje, pro megjithatë niveli i tyre është i ulet për ndryshime te mëdha, aq sa ka nevoje qe se paku te nise një proces i zbutjes se varfërisë dhe i papunësisë. Me normën e rritjes 4 për qind kjo nuk mund te arrihet, posaçërisht se rritja nuk vjen nga sektorët qe garantojnë përfitime te përgjithshme”, ka thënë ai për “Indeksonline”.

Rexhepi është shprehur se Kosova ballafaqohet me mosrespektim të ligjeve, joefikasitet të institucioneve të shtetit, informalitet dhe korrupsion, andaj të gjitha këto e pengojë zhvillimin ekonomik.

Ai ka thënë se Kosova ndonëse qëndron më mirë se sa vendet e rajonit për kah zhvillimi ekonomik, marrë parasysh GDP-në për kokë banori, vendi del i fundit në mesin e shteteve evropiane.

“. Sa i përket normës së zhvillimit ekonomik Kosova qëndron më mirë se shtetet e tjera në rajon. Mirëpo, nëse kemi parasysh GDP-në për kokë banori, ajo është e fundit në mesin e vendeve evropiane. Po ashtu ka shkallë të lartë të varfërisë, papunësi të madhe, deficit të lartë tregtar, me pak investime të brendshme dhe të jashtme.  Në përgjithësi edhe norma  e rritjes 4 për qind, nuk ndikon aq shumë në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme”, ka shtuar tutje ai.

Rexhepi ka thënë se të hyrat milionëshe nga Dogana e Kosovës tregojnë varshmërinë që ka vendi nga importi. Andaj, është shprehur ai, paratë që vijnë në buxhet nga burimet e brendshme, janë mënyra më e mirë për të ndihmuar zhvillimin ekonomik./Indeksonline/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme