‘Reagimi i zbehtë’/ Analiza: Lufta në Afganistan mbaroi, por jo sfidat e Presidentit Biden

Me avionët e fundit amerikanë që fluturonin mbi malet Hindu Kush në Afganistan, Presidenti Joe Biden përmbushi një premtim fushate për t’i dhënë fund luftës më të gjatë ku ishin përfshirë Shtetet e Bashkuara, luftë të cilën nuk mundi ta fitonte.

Por ndërsa ajo përfundoi me një evakuim kaotik, me viktima, e duke lënë pas të bllokuar qindra qytetarë amerikanë e mijëra afganë që ndihmuan SHBA-në gjatë luftës, presidenti qëndroi jashtë vëmendjes.

Ai la një komandant të lartë ushtarak dhe sekretarin e shtetit t’u flisin amerikanëve rreth momenteve të fundit të një konflikti që përfundoi me një dështim të fortë të amerikanëve.

Presidenti Biden lëshoi një deklaratë me shkrim ku falenderonte trupat amerikane që mbikëqyrën evakuimin ajror të më shumë se 120,000 afganëve, shtetasve amerikanë dhe aleatëve të tyre, për “guximin, profesionalizmin dhe vendosmërinë e tyre të pashoq”. Ai tha se do të fliste më shumë mbi këtë çështje të martën.

“Tashmë prania jonë ushtarake 20-vjeçare në Afganistan ka përfunduar”, tha zoti Biden në deklaratën e tij.

Reagimi i zbehtë i tij lidhet me një realitet të ashpër: Lufta mund të ketë përfunduar, por problemet Presidentit Biden me Afganistanin, jo.

Presidenti përballet ende me sfida të forta të lindura nga përfundimi i nxituar i luftës, mes tyre: se si duhen ndihmuar për të dalë nga Afganistani rreth 200 amerikanë e mijëra afganë që kanë mbetur ende atje, strehimi i dhjetëra mijëra refugjatëve që ia dolën të largoheshin si dhe një proces shqyrtimi nga ana e Kongresit rreth asaj se si administrata u kap e papërgatitur nga rënia e shpejtë e qeverisë afgane, pavarësisht paralajmërimeve të shumta.

Përmes tërheqjes, Presidenti Biden u tregua i gatshëm të durojë ato që këshilltarët e tij shpresojnë se do të jetë “kritika” afatshkurtëra, si dhepresionin dy-partiak në Kongres dhe atë ndërkombëtar për të zgjatur afatin e largimit të trupave amerikane përtej 31 gushtit. Për më shumë se një dekadë, zoti Biden ka besuar se konfliktet nuk janë të frutshme.

Hapja e një kapitulli të ri lidhur me Afganistanin përbën një objektiv të fortë të politikës së jashtme së Presidentit Biden. Në mënyrë të përsëritur ai ka mbrojtur idenë për të riorientuar vëmendjen e Uashingtonit drejt sfidave në rritje që paraqesin vendet kundërshtare, si Kina e Rusia, si dhe për zhvendosjen e vëmendjes tek terrorizmi në zonat me kërcënime më të mëdha.

Por në përpjekjen e tij për t’i dhënë fund luftës e për një qasje ndryshe të përparësive amerikane, Presidenti Biden mund të ketë nënvlerësuar gjithashtu një argument qendror të fushatës së tij për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020: premtimin për të nisur një epokë ndjeshmërie e bashkëpunimi më të madh me aleatët në politikën e jashtme të Amerikës, pas katër vitesh nën sloganin “Amerika e para” të ish-Presidentit Trump.

“Për dikë që është njohur si një udhëheqës i ndjeshëm…ai u shfaq mjaft racional, madje edhe gjakftohtë, në ndjekjen e qëllimit për t’i dhënë fund luftës”, thotë Jason Lyall, profesor në Kolegjin Dartmouth.

Aleatët, përfshirë ligjvënës nga Britania, Franca dhe Gjermania, u irrituan me këmbënguljen e Presidentit Biden për t’iu përmbajtur afatit të 31 gushtit, mes përpjekesh jo të lehta për të evakuuar shtetasit e tyre dhe aleatët afganë. Armin Laschet, kandidati kryesor konservator për të pasuar Angela Merkelin në postin e kancelarit të Gjermanisë, e quajti atë “dështimin më të madh që NATO ka pësuar që nga themelimi i saj”.

Në Shtetet e Bashkuara ligjvënësit republikanë kanë bërë thirrje për një hetim rreth mënyrës se si u administrua evakuimi nga administrata e Biden, dhe rreth asaj atë që shkoi keq në muajt e fundit kritik të tërheqjes, hetim që është mbeshtur edhe nga demokratët.

Në të njëjtën kohë, shpërthimi i fuqishëm vetëvrasës në ditët e fundit të evakuimit, si pasojë e të cilit humbën jetën 13 trupa amerikane dhe më shumë se 180 afganë, ka ngritur shqetësime se Afganistani mund të shndërohet sërish në një terren që “ushqen” terroristë.

Presidenti Biden fajësoi paraardhësin e tij, zotin Trump, duke thënë se i kishte duart e lidhura mbi këtë çështje. Ai vazhdimisht ka përsëritur se kishte trashëguar një marrëveshje që administrata republikane kishte arritur me talebanët për tërheqjen e trupave amerikane deri në maj të këtij viti. Shmangia nga marrëveshja, ka argumentuar zoti Biden, do të kishte vënë edhe një herë trupat amerikane në shënjestër të talibanëve. Para së enjtes, që nga shkurti i vitit 2020 trupat amerikane nuk kishin pësuar asnjë humbje në radhët e tyre.

Këshilltarët e presidentit demokrat janë ankuar gjithashtu se qeveria afgane tashmë e rrëzuar, e udhëhequr nga Ashraf Ghani, i kishte rezistuar gjetjes së një kompromisi politik me talibanët dhe se kishte bërë gabime strategjike duke i dislokuar forcat afgane të sigurisë në mënyrë të pakuptimtë, në grupe të vogla.

Republikanët, e madje edhe disa aleatë demokratë, kanë bërë kritika të forta për mënyrën se si administrata e kreu evakuimin, një çështje që republikanët po kërkojnë ta përdorin si një armë politike kundër Presidentit Biden.

Udhëheqësi i Pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy, (Republikan nga Kalifornia) tha të hënën se data e caktuar nga zoti Biden për tërheqje ishte një lëvizje politike e hartuar posaçërisht për foto zyrtare. Por ajo çka mungonte në kritikën e zotit McCarthy ishte përmendja e faktit se marrëveshja për t’i dhënë fund luftës ishte ndërmjetësuar gjatë administratës Trump.

“Nëse ky president do të kishte dëgjuar ushtrinë e tij, sot do të vazhdonim të kishim ende terroristë të burgosur brenda Bagramit, dhe do të kishim nxjerrë të gjithë amerikanët jashtë dhe ushtria nuk do të ishte larguar para civilëve amerikanë”, tha zoti McCarthy.

“Çdo krizë me të cilën ai është përballur deri më tani gjatë kësaj administrate, ka dështuar”, shtoi ai.

Mbetet për t’u parë nëse kritikat për trajtimin e çështjes së Afganistanit do të kenë jehonë tek votuesit. Një sondazh i Associated Press dhe kompanisë NORC, i zhvilluar më herët gjatë muajit gusht vinte në dukje se rreth 60 për qind e amerikanëve mendojnë se lufta atje nuk kishte vlerë.

Një sondazh i rrjetit televiz ABC News dhe kompanisë Ipsos i kryer më 27-28 gusht vinte në dukje se 60 për qind e amerikanëve nuk e mbështesnin mënyrën se si Presidenti Biden administroi situatën në Afganistan. Sipas sondazhit shumica thanë se SHBA-ja duhet të qëndronte në Afganistan derisa të evakuoheshin të gjithë amerikanët dhe afganët që ndihmuan SHBA-të. Në sondazh nuk ishte shtruar pyetja se çfarë mendohej nëpërgjithësi mbi tërheqjen, nesë e mbështesnin apo jo.

Ndërsa e ka mbështur futjen e amerikanëve në Afganistan në vitit 2001, zoti Biden u bë skeptik i përpjekjeve të SHBA-së për ndërtimin e këtij vendi dhe ngriti pikëpyetje serioze në lidhje me aftësinë e qeverisë afgane për të ndertuat kapacitete për të mbajtur veten.

Kundërshtimi i tij ndaj një rritje të numrit të trupave amerikane të vendosura në Afganistan në vitin 2009, kohë kur ishte nënpresident, e rreshtoi atë në anën humbësve brenda administratës Obama. Gjatë javëve të fundit zoti Biden u ka thënë ndihmësve se ai e shihte këshillën që kishtë dhënë më shumë se një dekadë më parë, kundër zgjerimit të përfshirjes amerikane në Afganistan, si një nga momentet më krenare të jetës së tij publike.

Por tendenca e tij për të folur me siguri të plotë, nuk e ndihmoi kauzën e tij.

Në korrik, Presidenti Biden i kundërshoi zërat se marrja e Afganistanit nga talebanët do të ishte e pashmangshme. Javë më vonë, grupi rrëzoi qeverinë afgane.

Presidenti gjithashtu ishte shprehur i sigurt se amerikanët nuk do të shihnin imazhet që të kujtonin evakuimin e SHBA-së nga Vietnami në fund të luftës në 1975. Fotot që tregonin helikopterë që evakuonin njerëzit nga çatia e Ambasadës Amerikane në Saigon, u bënë simboli më i fortë i dështimit të SHBA-së në atë vend.

Në fakt, njerëzit panë imazhe të afganëve të dëshpëruar që vërshuan në aeroportin e Kabulit.

Gjatë një interviste më 18 gusht për rrjetin televiziv ABC Presidenti Biden tha se objektivi ushtarak amerikan në Afganistan ishte që t’i nxirrte “të gjithë” nga vendi, përfshirë amerikanë, aleatë afganë dhe familjet e tyre. Ai u zotua se forcat amerikane do të qëndronin derisa ta përmbushnin këtë mision.

Por Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha të hënën se “një numër i vogël amerikanësh, nën 200, me gjasë rreth 100, vazhdojnë në jenë në Afganistan dhe duan të largohen”.

Evakuimi i shpejtë ushtarak i hap rrugën një operacioni më të zymtë diplomatik për të nxitur talebanët që të lejojnë amerikanët dhe aleatët e tyre, të largohen të sigurt me mjete të tjera.

Presidenti Biden beson se ai ka njëfarë avantazhi mbi talebanët, ish-armiq të amerikanëve, të shndëruar në partnerë pragmatistë, pasi Afganistani përballet me një krizë ekonomike për shkak të ngrirjes së shumicës së ndihmave të huaja. Por ushtarakë të lartë amerikanë thonë se situata në Afganistan mund të bëhet edhe më kaotike në javët dhe muajt e ardhshëm.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme